Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli për Legjislacionin zhvilloi mbledhjen e përbashkët për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e grupeve parlamentare të PD dhe LSI.

  • Postuar më, 05/12/2018

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe  Këshilli për Legjislacionin zhvilloi mbledhjen e përbashkët për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e grupeve parlamentare të PD dhe LSI.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi dhe me pjesëmarrjen e  deputetëve të opozitës, PD  dhe LSI, komisioni për Çështjet Ligjore dhe Këshilli për Legjislacionin dëgjoi  opinionet e  ekspertëve  konstitucionalistë  z. Artur Metani dhe z. Gazmend Bardhi mbi  vetingun në politikë.

Në fillim të mbledhjes fjalën e mori eksperti i Partisë Socialiste, Artur Metani, i cili tha se qëllimi i nismës së propozuar, ka të bëjë me garantim e  integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksion publik, nëpërmjet shtrirjes së vetingut edhe të politikanët në detyra shtetërore dhe funksionet e tjera kushtetuese, si dhe mbrojtjen në të ardhmen të funksionimit demokratik dhe ligjor të organeve kushtetuese dhe në përgjithësi, i sistemit demokratik, në përputhje me standardet ndërkombëtare, apo praktikat e vendosura nga shtetet e Këshillit të Evropës, apo shtete të tjera demokratike.

Sipas tij, projektligji nuk është në përputhje me konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka paqartësi se cila do jetë struktura që do bëjë procesin e vetingut. Në gjykimin tonë, projektligji i propozuar, paraqet: “Mangësi në drejtim të parashikimit në nivel kushtetues të mënyrës së zbatimit të procesit të garantimit të integritetit të funksionarit publik;kufizim të të drejtave themelore të subjekteve mbi të cilët parashikon të shtrijë efektet, pa respektuar parimin e proporcionalitetit; mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme dhe pengim të zbatimittë dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme, Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit,  ILDKPKI-së, të institucioneve përgjegjëse që merren me procesin e dekriminalizimit.”

Ndërsa, z. Bardhi eksperti i PD theksoi se ndryshimet e propozuara nëpërmjet këtij projektligji parashikojnë që e drejta për t’u zgjedhur, të kufizohet edhe në rastin e shtetasve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

“Ka një interes të përgjithshëm publik për të shmangur rolin aktiv në politikbërje të personave të lidhur me krimin e organizuar, sepse zgjedhja e votuesve nëse kandidatë të tillë i ofrohen mund të jetë e njëanshëm, veçanërisht nëse votuesit dorëzohen përpara presionit të këtyre individëve. Qëllimi i këtyre kufizimeve ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar. Është interes i lartë publik që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim. Gjithashtu, ndjekja e parimit të proporcionalitetit, bën që në aspektin sasior, ky kufizim të mos cenojë shtresa të gjëra të popullatës, por një numër të kufizuar individësh, që kanë zgjedhur vetë dhe lirisht të bashkëjetojnë me krimin e organizuar, dhe siguron padyshim funksionimin normal të organeve”, përfundoi  z.Bardhi

Në përfundim të  mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit, z. Ruci  bëri me dije se ka ardhur në Kuvend opinioni paraprak nga Komisioni i Venecias, të cilin do t’a  vërë në dispozicion të grupeve parlamentare.

Gjithashtu, më datë 14-15 dhjetor Komisioni i Venecias do të zhvillojë seancë plenare për dhënien e opinionit zyrtar për nismën. Në këtë seancë, parlamenti do të përfaqësohet me tre deputetë nga mazhoranca dhe tre nga opozita.