Mbahet në Kryesinë e Kuvendit konferenca dhe seminari i përvitshëm i Federatës së Grave për Paqen në Botë

  • Postuar më, 16/11/2018

16 nëntor 2018

 

Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit u mbajt sot konferenca dhe seminari i përvitshëm i Federatës së Grave për Paqen në Botë, me temë “Pjesëmarrja aktive e grave në vendimmarrje”. Të pranishme në aktivitet ishin gra aktiviste, politikane nga vendi dhe bota dhe anëtare të Federatës së Grave për Paqen në Botë. Konferenca u përshëndet nga znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe znj. Karolina Handschin, drejtore në Zyrën e Federatës së Grave për Paqen në Botë në Kombet e Bashkuara.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës dhe Paqes, u uroi mirëseardhjen grave pranishme në konferencë. Për zonjën Hysi e rëndësishme në ligjërimin politik të grave është përcjellja e paqes dhe luajtja e një rol-modeli pozitiv. Sipas Zëvendëskryetares së Kuvendit, gratë mund të luajnë një rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në nivel rajonal dhe botëror. E rëndësishme për zonjën Hysi, është angazhimi i grave politikbërëse në përmbushjen e objektivave që lidhen me fëmijën, familjen dhe gratë, në kuadër të “Agjenda 2030” “Ky angazhim kërkon veprime konkrete nga secila prej nesh duke ofruar modelin më të mirë të bërjes së politikës, jo gjuhë urrejtjeje dhe ndasi për cfarëdolloj baze, kur bëhet fjalë për paqe, siguri, shtet të së drejtës, harmoni dhe integrim të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane”, - u shpreh znj. Hysi.  

Znj. Karolina Handschin, drejtore në Kombet e Bashkuara e Zyrës së Federatës së Grave për Paqen në Botë, përshëndeti në fjalën e saj rritjen me 10% të numrit të grave deputete dhe rritjen me 40% të numrit të grave kandidate në politikën shqiptare. Znj. Handschin e konsideroi interesant faktin, që shumë nga gratë e suksesshme në politikën shqiptare, ia referojnë suksesin në karrierë modelit prindëror. Drejtorja e Zyrës së FGPB theksoi në fjalën e saj rëndësinë e prindërve në procesin edukues, e në këtë rol ajo i njohu një rol të veçantë gruas, që përmes rolit edukues prindëror ndikojnë të gjithë shoqërinë. Znj. Handschin kërkoi më tepër angazhime të të rinjve në veprimtari që kanë në bazë idealin.

Seminari u ndërtua i ndarë në dy tematika të ndryshme. “Pjesëmarrja aktive e grave në vendimmarrje, zhvillim dhe paqe të qëndrueshme”, e moderuar nga znj. Manjola Vashmatiç, anëtare e Bordit të FGBP për Shqipërinë dhe “Bashkëpunimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile për paqe dhe zhvillim”, e moderuar nga znj. Miti Tohma, president e FGBP për Mbretërinë e Bashkuar. Në sesionin e parë deputetet e Kuvendit, znj. Eglantina Gjermeni dhe znj.Elona Gjebrea; ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Mimoza Hajdarmataj dhe znj. Olga Bogomolets, deputete në parlamentin ukrainas, diskutuan lidhur mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave aktivisht në vendimmarrje, zhvillim dhe paqe të qëndrueshme. Në sesionin e dytë, znj. Miti Tohma, presidente e FGBP për Mbretërinë e Bashkuar; znj. Kholoud Uatar Kasem, drejtore e Forumit Global të Grave Politikane Udhëheqëse; znj. Hatixhe Hoxha, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe znj. Edlira Çepani, nga EDM, Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmarrje, diskutuan për bashkëpunimin mes qeverisë dhe shoqërisë civile për paqe dhe zhvillim.

Konferenca mbylli punimet duke emëruar si ambasadorë të rinj për paqen znj. Elona Gjebrea, znj. Mimoza Hajdarmataj dhe znj. Edlira Çepani.