Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme

  • Postuar më, 06/11/2018

Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. I ftuar në mbledhjen e komisionit ishte Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, në paraqitjen e tij tha se buxheti që ministria kërkon parashikohet të jetë 3 përqind në rritje për vitin 2019 ne raport me buxhetin e vitit 2018, pra në një llogaritje zë 0.76 përqind të produktit të brendshëm bruto.

“Është një buxhet i cili synon realizimin e prioriteteve që ne kemi për 2019, integrimin evropian të vendit pra vijimin e procesit screening, zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe gjithë punës bashkërenduese për procesin e fillimit të bisedimit për anëtarësim dhe koordinimin e asistencës që jep Bashkimi Evropian. Pjesë je këtij prioriteti janë edhe aktivitetet kryesore që bëjmë gjatë gjithë vitit.”,- theksoi ministri Bushati.

Relatori, z. Ervin Bushati u shpreh se orientuar nga prioritetet e politikës së jashtme, projektbuxheti i vitit 2019 mundëson kapacitetet e nevojshme të mbështetjes financiare, me qëllim përmbylljen e reformave të nisura gjatë viteve të mëparshme dhe realizimin e objektivave të reja.

“Kryesimi i disa nismave rajonale dhe organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrja aktive dhe realizimi i kontributit të Republikës së Shqipërisë në kuadër të NATO-s, zbatimin e detyrimeve të anëtarësimit në organizata dhe forume shumëpalëshe, plotësimin e bazës ligjore të bashkëpunimit me vendet e tjera, forcimin dhe rritjen e rolit të diplomacisë publike ekonomike dhe diasporës, në shërbim të interesave ekonomike të Shqipërisë, promovimi dhe potenciali për investime, tregti dhe bashkëpunim ekonomik, tregtar dhe kulturor me partnerët tanë ndërkombëtarë dy dhe shumë palësh, janë disa nga objektivat kryesore.”,- cilësoi ndër të tjera relatori z. Ervin Bushati.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve, paraqitja dhe kërkesat e Ministrit Bushati për mbështetje financiare nga buxheti 2019 u miratua në parim.