Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 11/10/2018

Kuvendi   u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, seanca e sotme nisi punimet  me interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave z.Erjon Braçe, me ministrin e Financave dhe Ekonomisë z.Arben Ahmetaj, në lidhje me ligjshmërinë fiskale të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF-së).

Në fjalën e tij z.Braçe tha se ka kërkuar prej muajsh informacion për ligjshmërinë e FSHF-së, ndërsa përmendi disa emra futbollistësh dhe trajnerësh të famshëm botërorë, që nuk kishin paguar taksat në vendet në të cilat ushtronin aktivitetin dhe ishin dënuar.

“Federata Shqiptare e Futbollit është një nga institucionet më të rëndësishme në këtë vend, që përfaqëson flamurin e këtij vendi në aktivitetet ndërkombëtare. Që nga muaji shkurt kam kërkuar informacione për ligjshmërinë fiskale të tij dhe ende nuk kam një përgjigje të qartë”, u shpreh z. Braçe.

Më pas fjalën e mori ministri Ahmetaj, i cili theksoi se futbolli është shumë larg normalizimit, duke zbuluar pagat e disa prej futbollistëve të skuadrave më në zë të vendit dhe gjithashtu shtoi se futbolli sigurisht që ka nevojë për formalizim.

“Është emergjencë, FSHF-ja po avancon në këtë drejtim krahasuar me vitin 2014, por jemi ende larg formalizimit.  Është e dukshme që sporti ka nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe formalizim. Vetëm me formalizim i kthehet dinjiteti atyre lojtarëve që i trajtuam si heronj në Evropian”, tha Ahmetaj.

Pas përfundimit të interpelancës, seanca vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, ku në emër të grupit të Partisë Socialiste z.Ulsi Manja u shpreh: “Projektligji që do të votojmë sot për disa ndryshime në ligjin “Për Gjendjen Civile” është një ndërhyrje ligjore që do ti japë fund një kalvari të gjatë burokratik, për qindra e mijëra prindër shqiptar që kanë probleme me regjistrimin e fëmijëve, të lindur jashtë vendit ku prindërit e tyre janë emigrantë të parregullt apo janë rezidentë të rregullt në vende të huaja, por nuk kanë mundur të regjistrojnë fëmijët ose kanë pasaktësi  ose te dhëna të plota të akteve të lindjes, për fëmijët e braktisur nga prindërit, kur prindërit nuk dihen, apo kur prindërit kanë vdekur në një aksident apo fatkeqësi natyrore etj. Ky ndryshim ligjor i jep zgjidhje.”

Ky projektligj u hodh në votim si një tekst i vetëm integral i dy nismave: nisma e këshillit të Ministrave dhe nisma e një grup deputetësh dhe u miratua me 73 vota pro.

Gjithashtu, seanca e sotme plenare votoi me shumicë të thjeshtë votash  z.Alfred Lako, me 71 vota pro dhe 2 kundër për projektvendimin “Për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Kandidatura e z. Peter Saraçi u rrëzua me 4 vota pro, 20 kundër dhe 49 abstenim.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:30.