Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, u takua me Ambasadorin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe, Z. Mohamed Meer Al Raeesi

  • Postuar më, 10/10/2018

10 tetor 2018


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, z. Mohamed Meer Al Raeesi.


Kryetari Ruçi e uroi ambasadorin Al Raeesi për detyrën e re në Shqipëri dhe nënvizoi se marrëdhëniet dypalëshe politike janë shumë të mira, konkretizuar me shkëmbime vizitash të rëndësishme, të cilat shërbejnë për konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Vizitat e Kryeministrit Edi Rama në prill 2015 dhe tetor 2017 i kanë shërbyer nxitjes së këtij bashkëpunimi.

Megjithatë, bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregëtare ka mundësi të pashfrytëzuara. Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e Abu Dhabi Fund në financimin e programeve dhe projekteve në fusha të ndryshme dhe shprehu interesin për rritjen e investimeve emiratase në Shqipëri, në sektorë strategjikë për vendin.  “Marrëveshjet e propozuara nga pala shqiptare sugjeroj të vlerësohen me kujdes dhe të përshpejtohet nënshkrimi i tyre”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi.

Z.Ruçi vlerësoi rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe në rajon për mbështetjen e cështjes dhe zgjerimin e njohjës ndërkombëtare të Kosovës.

Ai gjithashtu vlerësoi se nga Shqipëria do të mirëpritej  vendimi i palës emiratase për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë për qëllime turizmi.

Hapja e Ambasadës së EBA në Tiranë do të ishte gjithashtu shumë e dobishme për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit.

Ambasadori Al Raeesi falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për pritjen, fjalët e ngrohta si edhe vullnetin e Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ai nënviozoi se do të fokusohet në nxitjen e bashkëpunimit dypalësh ekonomiko-tregëtar dhe të investimeve, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik të rritet në nivelin e bashkëpunimit politik.  Në Shqipëri ka një klimë shumë të favorshme për nxitjen e investimeve të huaja dhe Ambasada do të nxisë investitorët emiratas të investojnë në Shqipëri

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Al Raeesi bisesuan edhe rreth zhvillimeve në rajon, duke u fokusuar në krizën në Yemen. Shqipëria ndjek me vëmendje zhvillimet dhe konfliktet rajonale në Lindjen e Mesme dhe mbështet fort paqen dhe stabilitetin në këtë rajon si edhe vlerëson politikën dhe rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe  për zhvillimet në Gjrit Persik e më gjerë në rajon. Shqipëria vlerëson gjithashtu edhe partneritetin dhe bashkëpunimi e Emirateve të Bashkuara Arabe  me NATO-n.