Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondacioni për Trafikun e Qenieve Njerëzore, konferencë ndërkombëtare për shkallën e trafikimit të qenieve njerëzore ne rajonin e Ballkanit dhe roli i parlamentareve në këtë drejtim
- Postuar më, 26/09/2018

26
shtator 2018
Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot konferenca ndërkombëtare me qëllim kryesor, diskutimin për shkallën e trafikimit të qenieve njerëzore ne rajonin e Ballkanit dhe rolin e parlamentarëve në këtë drejtim, për të luftuar në një mënyrë sa më efikase dhe për të koordinuar këtë fenomen. Konferenca u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Kundër Trafikimit të Personave me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, konferenca synoi krijimin e grupit shqiptar të deputetëve kundër trafikut të qenieve njerëzore, një grup informal mbi koordinimin dhe sensibilizimin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Pjesëmarrës në aktivitet ishin 20 parlamentarë nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Greqia, Sllovenia, Serbia, Kosova, Maqedonia, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Aktiviteti u moderua nga deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elona Gjebrea.
Znj. Gjebrea, në
cilësinë dhe të moderatores, në hapje të aktivitetit theksoi se Shqipëria ia ka
dalë më së miri, falë përmbushjes së reformave, që të dalë nga lista e zezë e
Departamentit Amerikan të Shtetit. Deputetja e Partisë Socialiste e konsideroi
me rëndësi të madhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. “Krimi nuk njeh
kufij”, - u shpreh znj. Elona Gjebrea, sipas së cilës fenomeni i trafikut të
qenieve njerëzore mbetet i pamonitoruar në nivelet më të larta, si në nivel
global, ashtu edhe lokal. “Është detyra jonë si përfaqësues të parlamenteve, ta
konsiderojmë si shqetësim e të ngremë zërin tonë përballë këtij fenomeni.
Fenomeni i trafikimit të personave kërkon një përgjigje serioze dhe
profesionale, por më së shumti kërkon një reagim të përbashkët, bazuar në një
frymë bashkëpunimi të të gjitha niveleve”, - u shpreh znj. Gjebrea.
Zëvendëskryetarja e
Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, u shpreh në fjalën e saj se në zbatim të
rekomandimeve të GRETA-s, mekanizimit
monitorues të Konventës së Këshillit të Evropës për trafikimin e qenieve
njerëzore, Kuvendi i Shqipërisë në vitin
2013 bëri disa ndryshime në Kodin Penal lidhur trafikimin e qenieve njerëzore,
duke përfshirë trafikimin e brendshëm, dënimin e përfitimin ose përdorimin e
shërbimeve të ofruar nga personat e trafikuar, ashpërsimin e dënimeve për
trafikimin e qenieve njerëzore,
ndryshime në ligjin “Për të huajt” lidhur me të drejtën e qëndrimit të
viktimave të huaja të trafikimit, të drejtën e tyre për një rikthim, periudha e
reflektimit dhe leja e qëndrimit. Si zhvillime me rëndësi, në të njëjtin
drejtim, Zëvendëskryetarja e Kuvendit përmendi ndryshimet e bëra në vitin 2014
për të siguruar kujdesin shëndetësor pa pagesë për viktimat e trafikimit,
ligjin për ndihmën juridike me ndryshimet e bëra në vitin 2013 dhe ligjin e ri
për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, përmirësuan aksesin në asistencën
ligjore për viktimat e trafikimit dhe mosdënimin e viktimave të trafikimit për
veprat penale të kryera si rezultat i trafikimit. Kryefjalë të përpjekjeve të
Kuvendit të Shqipërisë znj. Hysi konsideroi reformën në drejtësi. “Pjesë e
kësaj reforme ishin ndryshime thelbësore lidhur me pozicionin e viktimës në
procesin penal, ndihmën juridike, parandalimin e dhunës në familje si një nga
faktorët që nxit trafikimin, ofrimi i
shërbimeve ligjore falas, përjashtimi nga pagimi i taksave dhe shpenzimeve
gjyqësore, parashikimi në ligj që të ardhurat e konfiskuara nga trafikimi dhe
krimi i organizuar të përdoren për kompesimin e viktimave, ofrimin e shërbimeve
dhe krijimin e bizneseve sociale. Ndërtimi i një sistemi drejtësie efikase,
profesioniste, të pastër nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar
është një aspekt i angazhimit parlamentar, por ana tjetër është hartimi i
ligjeve që përmirësojnë pozitën e grupeve të riskuara në shoqëri, parandalimi i
ndikimit të faktorëve që mund të viktimizojnë grupe sociale për të qenë viktima
të trafikimit dhe mbështetja e viktimave”, - ishin fjalët e Zëvendëskryetares
së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi.
Z. Vernon Coaker, deputet britanik, bashkëkryetari
i grupit parlamentar për trafikimin në Mbretërinë Bashkuar dhe raportues për
trafikimin e qenieve njerëzore në Këshillin e Evropës, shprehu falënderimet e
tij për ftesën dhe mikpritjen e tij në këtë konferencë, për të cilën dha
konsiderata vlerësuese të larta. Z. Coaker vlerësoi përpjekjen e Shqipërisë kundër fenomenit të emigracionit
dhe trafikut të paligjshëm. Deputeti britanik, në fjalën e tij, bëri një
pasqyrim të gjendjes dhe problematikave të hasura në Britaninë e Madhe lidhur
me problematikën e trafikimit të qenieve njerëzore. Z. Coaker, gjithashtu,
shpjegoi mekanizmin përgjegjës të vendit të tij në luftën kundër trafikut.
“Shpesh ne dështojmë ta shohim kriminalitetin e dukshëm në plan të parë”, u
shpreh z. Coaker, që solli përmes të
dhënave numerike disa fakte të përmbysura që paraqiteshin sapo studimi i
kriminalitetit shkonte në nivele më të thelluara. Z.
Coaker njohu konferencën edhe me shembullin britanik të grupit të deputetëve
kundër trafikimit dhe ngriti edhe sugjerime konkrete për rastin shqiptar.
Deputeti britanik kërkoi që të bëhej identifikim shkaqesh që çojnë në trafikim.
“Nëse ne nuk zbulojmë thelbin e problemit, por vetëm prodhojmë legjislacion,
jemi në sipërfaqe. Duhet ta njohim dimensionin e problemit ndaj jam i lumtur,
që jam këtu me ju, sepse skllavërimi modern është ndërkombëtar dhe si rezultat
ka nevojë për përpjekje ndërkombëtare”, - u shpreh z. Vernon Coaker.
Z. Anthony Steen,
kryetar i Fondacionit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, theksoi rëndësinë e
përpjekjeve të përbashkëta nga të gjithë të pranishmit për të luftuar
“skllavërinë e kohëve moderne”. Z. Steen shpjegoi ndryshimin e emërtimit në
Britani të konceptit të skllavërisë së kohëve moderne me “trafikimin e qenieve
njerëzore”. Z. Steen e konsideroi një çështje jopartiake, që duhej debatuar
rregullisht në parlamentin shqiptar, këtë fenomen. Z. Anthony Steen kërkoi që
të shihej përtej statistikave, edhe kur në plan të parë ato flasin për mungesën
e këtij fenomeni. “Skllavëria moderne
është e fshehur, e vështirë të zbulohet dhe askush s’e di ku ndodh. E tillë
është natyra e saj: e padukshme, jo e lehtë ta zbulosh me të parën. Shumë
njerëz vijnë dhe e lënë vendin ilegalisht”, -ishin fjalët e kryetarit të
Fondacionit, që vijoi duke thënë se: “Nuk duhet ta shohim skllavërinë si njerëz
te lidhur me zinxhir, por një skllavëri psikologjike. Persona që janë
skllavëruar nga persona të korruptuar e kriminelë. Bëhet fjalë për këtë
marrëdhënie ku njerëzit mbahen në një presion psikologjik”. Z. Steen evidentoi
edhe një problematikë tjetër lidhur me fenomenin: frikën e viktimave për të
dhënë prova në procese gjyqësore. Në përfundim të fjalës së tij, z. Steen
kërkoi bashkërendimin e përpjekjeve të parlamentarëve dhe shoqërisë civile për
ta luftuar bashkërisht këtë çështje.
Znj. Dhurata Çupi,
në fjalën e saj, e vendosi theksin te pesha negative që ka ky fenomen negativ
në Shqipëri. Sipas znj. Çupi, trafikuesi ndjehet më i mbrojtur se viktimat.
Znj. Çupi e konsideroi të dështuar politikën e ndjekur deri më tani në luftën
kundër trafikimit, duke ia bërë me dije konferencës shifrat që dispononte. “Jemi në një situatë që sot nuk kemi një
strukturë të posaçme për të ndjekur ecurinë dhe mbrojtjen nga trafikimi. Vite
më parë kishte një zëvendësministër përgjegjës vetëm për trafikimin, me varësi
direkte një strukturë me personel dhe koordinator në luftën kundër trafikimit.
Shqipëria ka patur një periudhë ku nuk ishte më në statistikat ndërkombëtare
për trafikimin. Sot nuk ka një përgjegjësi të dedikuar për trafikimin. Nuk ka
një koordinator e nuk ka asnjë strukturë në administratën publike, që të merret
me këtë çështje”, ngriti si problematikë në fjalën e saj znj. Çupi, kryetare e Aleancës së Grave
Deputete dhe deputete e Partisë Demokratike.
Pjesë e diskutimeve
të sesionit të parë të konferencës, sesionit hapës, u bënë edhe deputetët e
Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj, z. Pjerin Ndreu, znj. Albana
Vokshi dhe znj. Jorida Tabaku.
Konferenca vijoi
punimet e saj me tre sesione të tjera: (i) diskutimin për trafikimin e qenieve
njerëzore, (ii) trafikimin e qenieve njerëzore nga Evropa, (iii) diskutimet për
mundësinë e bashkëpunimit mes parlamentarëve. Në përfundim të konferencës së
mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, parlamentarët nënshkruan një deklaratë zotimi
të përbashkët dhe një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër këtij fenomeni.
Deklarata e Seminarit
Parlamentar në Tiranë
26 shtator 2018
Krijimi i një Rrjeti Evropian Parlamentarësh për
Luftën ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore si një Skllavëri e Ditëve Moderne
Sfondi
1. Parlamentet dhe parlamentarët kanë forcën dhe ndikimin për të
pakësuar, nëse jo për të parandaluar, të gjitha format e trafikimit të qenieve
njerëzore, duke ndërgjegjësuar publikun dhe duke bërë ligjet e duhura për të
ndjekur penalisht kriminelët dhe për të mbrojtur viktimat.
2. Parlamentarët mund të ndërmarrin një sërë hapash në nivel vendor,
kombëtar dhe ndërkombëtar. Ata mund të bashkëpunojnë për të garantuar që
Konventa e Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve
Njerëzore dhe Direktiva e BE-së për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit dhe Mbrojtjen
e Viktimave, të miratohen më gjerësisht dhe të zbatohen më mirë.
3. Pjesëmarrësit në këtë Seminar kërkojnë një gamë qasjesh të ndryshme
për të trajtuar skllavërinë e ditëve moderne, kryesisht në varësi të faktit
nëse janë vend origjine, tranziti apo destinacioni. Bashkëpunimi është penguar
nga mungesa e mundësisë që parlamentarët të takohen me njëri tjetrin dhe të
kuptojnë e diskutojnë situatat e tyre të ndryshme.
4. Ndërgjegjësimi i publikut për trafikimin e qenieve njerëzore, përfshi
shfrytëzimin e punës dhe kriminalitetin e detyruar, si dhe trafikimin për
shfrytëzim seksual, është shtuar në dy dekadat e fundit. Qytetarët evropianë
kërkojnë që këto krime të trajtohen më mirë dhe më me efektivitet dhe që
viktimat të trajtohen në mënyrë më të drejtë dhe më me dhembshuri. Është detyrë
dhe përgjegjësi e të gjithë parlamentarëve që kjo të ndodhë.
Deklaratë
Ne, deputetë që mblidhemi në Ballkanin Perëndimor dhe pjesëmarrës nga
institucione qeveritare, organizata jo-qeveritare dhe të shoqërisë civile,
njohim se:
- Detyrimet evropiane për të parandaluar, mbrojtur
dhe ndjekur penalisht trafikimin e qenieve njerëzore kërkojnë që të gjithë
parlamentarët të informohen më mirë për nivelin dhe shtrirjen e
skllavërisë së ditëve moderne dhe të tjerave, duke i bërë kështu qeveritë
e tyre më llogaridhënëse.
- Parlamentarët duhet të jenë më të ndërgjegjësuar
për Konventën e Këshillit të Evropës për të luftuar trafikimin e qenieve
njerëzore dhe Direktivën pasuese të BE-së, si dhe rëndësinë e lehtësimit
të shkëmbimit të informacionit ndër-kufitar, hetimeve të përbashkëta,
mbështetjen e viktimave, ndjekjen penale dhe ekstradimin.
- Nevoja për masa të veçanta kërkohet për të
mbrojtur të gjithë fëmijët dhe për të plotësuar detyrimet e Konventës së
Kombëve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, Konventës së Këshillit të
Evropës kundër Shfrytëzimit Seksual dhe Abuzimit me Fëmijët, Direktivës së
BE-së kundër Shfrytëzimit Seksual dhe Abuzimit me Fëmijët, dhe Konventës
ILO 182 mbi Format më të Këqija të Punës së Fëmijëve.
- Të gjithë pjesëmarrësit në këtë seminar dhe
parlamentet e tyre duhet të pasqyrojnë prioritetet e përcaktuara në
Strategjinë e BE-së drejt Çrrënjosjes së Trafikimit të Qenieve Njerëzore
2012-2016. Për këtë duhet të:
·
Punohet
më ngushtë me organizatat e shoqërisë civile – përfshi organizatat
jo-qeveritare active, që punojnë me personat e trafikuar – veçanërisht për të
gjitha nismat ligj-bërëse, në fushatat informative dhe ndërgjegjësuese,
programet e hulumtimit dhe arsimit dhe në trajnime, si dhe për monitorimin dhe
vlerësimin e ndikimit të të gjitha masave anti-trafik.
·
Rritet
koordinimi dhe bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë për të garantuar
përputhshmërinë e politikave.
·
Rriten
njohuritë dhe përgjigjet efektive ndaj shqetësimeve të reja që lidhen me të
gjitha format e trafikimit të qenieve njerëzore, përfshi trafikimin e fëmijëve.
Në veçanti parlamentarët në këtë seminar dëshirojnë të promovojnë:
- Grupet parlamentare kundër trafikimit brenda
strukturave parlamentare ekzistuese, ose veçmas tyre:
- për ti bërë qeveritë përkatëse më llogaridhënëse
në reagimet e tyre ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, duke garantuar
zbatimin e duhur dhe në kohë të masave ekzistuese anti-trafikim, duke
identifikuar hendeqet në përputhje me tendencat që ndryshojnë dhe duke
propozuar zgjidhje të mundshme. Këto grupe bashkëpunojnë me organizata
jo-qeveritare dhe të shoqërisë civile për të garantuar shkëmbimin korrekt
të informacionit. Të angazhohen më shumë me të gjitha format e medias duke
ndërgjegjësuar më mirë për trafikimin e qenieve njerëzore.
- Bashkëpunimin efektiv dhe më të shpeshtë
ndër-kufitar dhe rajonal
- për të rritur bashkëpunimin përmes zhvillimit të
marrëdhënieve të punës me parlamentet evropiane dhe mes tyre, zbatimit të
ligjit, organizatave ligjore, gjyqësore dhe të shoqërisë civile.
- për të eksploruar një përdorim më të madh të
rrjeteve nën-rajonale, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor, duke nxitur
kështu dialog të vazhdueshëm parlamentar dhe shkëmbim të informacionit dhe
të praktikave më të mira.
- Grumbullimin e vazhdueshëm të të dhënave dhe një
sistem harte pan-evropiane
- për të luftuar për harmonizim më të mirë dhe më
gjithëpërfshirës të të dhënave kudo në Evropë.
- Një organizatë ose një individ për të kryer
detyrat e një raporteri kombëtar
- për të garantuar monitorimin dhe zbatimin e
pavarur të Ligjeve kombëtare, si dhe instrumentët evropianë dhe
ndërkombëtarë për të ndjekur, mbrojtur dhe parandaluar trafikimin e
qenieve njerëzore.
- për të garantuar që buxhetet kombëtare të
pasqyrojnë nevojën për financim më të mirë për mbështetjen dhe
rehabilitimin e viktimave, për parandalim, zbatim të ligjit, riatdhesim
kur është e nevojshme dhe trajnim të vazhdueshëm të profesionistëve.
Ky seminar miraton plotësisht krijimin e një grupi
parlamentar rajonal të Ballkanit Perëndimor, për krijimin e të cilit fillimisht
është ofruar Fondacioni i Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe më pas u paraqit
nga një prej grupeve parlamentare të trafikimit, me qëllim shkëmbimin dhe
grumbullimin më mirë të të dhënave dhe për të kuptuar më mirë fenomenin.
Fjala e plotë e Zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, në seminarin ndërkombëtar
të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe grupi për luftën kundër trafikimit të
qënieve njerëzore
Të nderuar kolegë dhe
kolege deputetë, miq të ardhur nga parlamentet e vendeve të rajonit e më gjerë,
Të nderuar kolegë
dhe kolegë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Të nderuar pjesëmarrës
të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues
të institucioneve dhe shoqërisë civile,
Të nderuar përfaqësues
të medias dhe gjithë stafit mbështetës të kësaj konference,
Me lejoni T’ju uroj
pjesëmarrjen miqve të ardhur nga larg dhe vendet e rajonit për të qenë bashkë dhe
diskutuar në këtë konference çështje që lidhen me parandalimin dhe luftimin e
skllavërisë moderne në ditët tona. Kuvendi i Shqipërisë ndihet i vlerësuar që është
mikpritësi dhe bashkëorganizatori i kësaj Konference.
Disa vite më pare, miq
të Parlamentit britanik dhe anëtarë të Fondacionit për Trafikimin e Qënieve Njerëzore
në Britaninë e Bashkuar vizituan parlamentin shqiptar dhe diskutuan me deputetë/e
shqiptarë mundësinë e bashkëpunimit mes parlamentarëve të vendeve të rajonit për
të kontribuar në parandalimin e trafikimit në
rajonin e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri dhe vendet e tjera ku
trafikohet viktimat si dhe për mundësinë e zbatimit të programeve për mbështetjen
e viktimave të riatdhesuara.
Sot, falë
angazhimit të koleges, znj. Gjebrea u bë e mundur që Kuvendi i Shqipërisë të
mirëpresë parlamentarë nga vende të
ndryshme dhe nga Mbretëria e Bashkuar por edhe të diskutojmë së bashku për
nisma konkrete për të luftuar më me efektivitet trafikimin e qënieve njerëzore,
por më shumë për parandalimin e tij dhe
luftimin e faktorëve kriminogjenë që mundësojnë viktimizimin dhe
trafikimin e qënieve njerëzore, qofshin burra ose gra, të rritur ose fëmijë.
Në raportin e tij të parë për Shqipërinë, GRETA,
mekanizimi monitorues i Konventës të Këshillit të Europës për trafikimin e qënieve
njerëzore bëri një numër rekomandimesh lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore
dhe u kërkoi autoriteteve shqiptare të adresojnë mangësitë që dalin nga mungesa
e harmonizimit midis dispozitave të caktuara ligjore.
Në zbatim të rekomandimeve të GRETA-s, Kuvendi i Shqipërisë
në vitin 2013, bëri disa ndryshime në Kodin Penal lidhur trafikimin e qenieve njerëzore,
duke përfshirë trafikimin e brendshëm, dënimin e përfitimin ose përdorimin e shërbimeve
të ofruar nga personat e trafikuar, ashpërsimin e dënimeve për trafikimin e
qenieve njerëzore, ndryshime në ligjin
“Për të huajt” lidhur me të drejtën e qëndrimit të viktimave të huaja të
trafikimit, dhe në veçanti të drejtën e tyre për një rikthim dhe periudha e reflektimit
dhe leja e qëndrimit.
Për një kohë të gjatë, viktimat e trafikimit gëzonin pak të
drejta dhe pozita e tyre në procesin penal nuk ishte e rregulluar sipas
standarteve ndërkombëtare të sanksionuara në konventat ku shteti shqiptar është
palë. Ndryshimet e bëra në vitin 2014 për të siguruar kujdesin shëndetësor pa
pagesë për viktimat e trafikimit, ligji për ndihmën juridike me ndryshimet e bëra
në vitin 2013 dhe sot ligji i ri për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, përmirësuan
aksesin në asistencën ligjore për viktimat e trafikimit. Një tjetër zhvillim më
rëndësi është mosdënimi i viktimave të trafikimit për veprat penale të kryera
si rezultat i trafikimit.
Nuk do dëshiroja të ndalesha më shumë në rolin që luan
Koordinatori Kombëtar Antitrafik dhe organizatat e shoqërisë civile në
identifikimin, mbështetjen, rehabilitimin e viktimave të trafikimit, pasi ata janë të
pranishëm dhe do kenë mundësi të shprehen vet në këtë tryezë të nderuar, por me
lejoni T’ju bëj me dije rolin e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces dhe mundësitë
e bashkëpunimit në të ardhmen, në këndvështrim tim si zëvendëskryetare e
Kuvendit dhe kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut.
Reforma në drejtësi është kryefjala e Kuvendit të Shqipërisë
dhe më gjerë. Pjesë e saj është drejtësia penale, krijimi i strukturave të specializuara
për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo reformë është aq e
thellë sa ka shkaktuar pështjellime të mëdha, jo vetëm te personat e përfshirë
në krim të organizuar, por edhe në radhët e
sistemit të drejtësisë dhe politikës.
Pjesë e kësaj reforme ishin ndryshime thelbësore lidhur
me pozicionin e viktimës në procesin penal, ndihmën juridike, parandalimin e
dhunës në familje si një nga faktorët që
nxit trafikimin, ofrimi i shërbimeve ligjore falas, përjashtimi nga
pagimi i taksave dhe shpenzimeve gjyqësore, parashikimi në ligj që të ardhurat
e konfiskuara nga trafikimi dhe krimi i organizuar të përdoren për kompesimin e
viktimave, ofrimin e shërbimeve dhe krijimin e bizneseve sociale.
Ndërtimi i një sistemi drejtësie efikase, profesioniste,
të pastër nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar është një aspekt i
angazhimit parlamentar, por ana tjetër është hartimi i ligjeve që përmirësojnë
pozitën e grupeve të riskuara në shoqëri, parandalimi i ndikimit të faktorëve që
mund të viktimizojnë grupe sociale për të qenë viktima të trafikimit dhe mbështetja
e viktimave.
Zbatimi i reformës në drejtësi është sfida e rradhës. Rritja
e aftësive profesionale jo vetëm e
gjyqtarëve dhe prokurorëve, punonjësve të policisë, por edhe shërbimeve
sociale, bashkërendimi dhe funksionimi i
mekanizmave referues është një sfidë tjetër që duhet përballuar me sukses.
Goditjet që po merr krimi i organizuar, falë punës së
policisë së shtetit, aksionit “Forca e ligjit”, bashkëpunimit të suksesshëm të agjensive ligjzbatuese shqiptare me ato
evropiane dhe më gjerë kërkon një përgjigje të shpejtë me shërbime për viktimat dhe dëshmitarët
e drejtësisë. Kuvendi mund dhe duhet të luajë rol në mbeshtetjen me
burime njerëzore dhe buxhetet e nevojshme
në këtë fushë.
Miratimi i ligjit “Për strehimin social” është një hap me
rëndësi në ofrimin e banesave të specializuara për viktimat e trafikimit dhe
zbatimin e disa programeve sociale. Por, kjo nuk mjafton. Ligji ka nevojë të
buxhetohet mjaftueshëm dhe të zbatohet në nivel vendor.
Miratimi i ligjit për të drejtat e fëmijës dhe mbrojtjen
e tyre është një risi, por kemi ende shumë për të bërë për ngritjen e mekanizmave
referues dhe funksionimin efektivë të
tyre për identifikimin e fëmijëve në rrezik për ri-trafikim raportim efektiv si
dhe sigurimin e ndihmës dhe mbrojtjes së tyre sipas standarteve.
Lufta kundër informalitetit dhe shfrytëzimit të punës së
zezë është sfida më e madhe në Shqipëri dhe të vendet e tjera. Nëse mekanizmat ligjore
dhe institucionale për adresimin e migracionit të parregullt dhe parandalimin e
informalitetit do të funksionojnë më mirë, numri i viktimave të trafikimit do
të ulet ndjeshëm.
Mundësimi i zbatimit të sistemit të kujdestarisë për
fëmijët viktima të trafikimit është ende larg asaj që kërkohet dhe duhet të zbatohet.
Si parlamentarë, mund dhe duhet të kontribuojmë më shumë në këtë proces. Përvojat
pozitive dhe mësimet e nxjerra nga vendet tuaj, të nderuar kolegë janë të mirëprituara.
Me qëllim adresimin e nevojave që kanë gratë, vajzat, fëmijët,
për nxitjen e barazisë dhe mbrojtjen e tyre më të mirë, në Kuvend janë krijuar
dy grupime ndërpartiake: Aleanca e Grave Deputete dhe grupi i deputeteve “Miqtë
e fëmijëve”. Nesër, grupi i deputetevë miqtë e femijëve prezanton nismën për
zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të problemeve të rregjistrimit të fëmijëve që është
një masë e rëndësishme për parandalimin e trafikimit të fëmijëve. Me këtë rast me lejoni të
falenderoj organizatat e shoqërisë civile dhe ato ndërkombëtare që draftuan këto
ndryshime.
Të nderuar pjesëmarrës,
Krahas miratimit të ligjeve që parandalojnë dhe luftojnë
më mirë skllavërinë moderne, funksioni i kontrollit parlamentar ka rëndësi. Me
vjen mirë që Komisioni i Sigurisë Kombëtare drejtohet nga znj. Felaj, ish
prokurore dhe me pervojë në fushën e drejtësisë penale. Veprimtaria e këtij
komisioni ka njohur dimensione të reja, në këtë legjislaturë, duke forcuar
kontrollin parlamentar dhe mundësuar jo vetëm buxhetim më të mirë për institucionet
ligjzbatuese, por edhe duke ushtruar kontroll parlamentar më të mirë.
Krijimi i mekanizimit ndërinstitucional për ndjekjen
sistematike të rekomandimeve të institucioneve të pavaruara kushtetuese dhe të
krijuara me ligj, e drejtuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është një
mundësi më e mirë për të forcuar rolin e parlamentarëve në parandalimin dhe luftimin e skllavërisë
modern.
Krijimi i Nënkomisionit për Barazi Gjinore dhe Parandalimin
e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave dhe Nënkomisioni për të Dejtat e Njeriut
mundësojnë një adresim në dinamikë të problematikë në këto fusha.
Grupi i grave parlamentare dhe i deputeteve “Miqtë e
fëmijës” mund të kontribuojnë më shumë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve
me të cilat përballen gratë dhe vajzat në Shqipëri. Fakti që znj Gjebrea, ish kordinatore kombëtare e
antitrafikut është nënkryetare e Aleancës së Grave Deputete është një mundësi e mirë për të ndërmarrë nisma konkrete dhe forcuar rolin e
parlamentarëve në këtë proces.
Duke përfituar nga rasti që në këtë tryezë të nderuar
kemi përfaqëues të parlamenteve të vendeve të ndryshme, do të kërkoja që të
kontribuonin në forcimin e bashkëpunimit mes grupeve të miqësisë dhe të koordinojmë
përpjekjet dhe nismat për parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e viktimave
në vendet respektive.
Duke punuar dhe
adresuar së bashku problemet, qeveritë tona do të forcojnë edhe më shumë
bashkëpunimin dhe do të rrisim edhe më shumë efektivitetin e përpjekjeve të
tyre për parandalimin dhe luftimin e skllavërisë moderne.
Ju faleminderit
dhe uroj qëndrim të këndshëm në Shqipëri
dhe punime të mbara konferencës!