Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014”.

  • Postuar më, 18/09/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares së komisionit, znj. Ermonela Felaj, në cilësinë e komisionit përgjegjës miratoi sot datë.18.09.2018, në parim, nen për nen dhe në tërësi, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014”. 

Për prezantimin në komision të projektligjit, të pranishëm ishin zëvendësministri i Ministrisë së Brendshme z.Besfort Lamallari dhe z.Jeton Xoxe, specialist në Drejtorinë e Marrëveshjeve.

Zëvendësministri Lamallari u shpreh se projektligji ka për qëllim miratimin e amendimit të Aneksit I të marrëveshjes nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014”, në përputhje me nenin 25 të marrëveshjes. Këto amendime janë propozuar në kuadër të ndryshimeve statutore të EUROPOL-it.

Në komision u bë me dije se më datë 1 maj 2017 ka hyrë në fuqi  rregullorja e re e Europol-it dhe si rrjedhojë ka ndryshuar dhe kuadri ligjor i saj. Mandati i ri i Europol-it mbulon vepra penale të cilat kanë të bëjnë me krimet e rënda, terrorizmin dhe format e tjera të krimit, që prekin dy apo më shumë vende të Bashkimit Evropian, ashtu siç është listuar në Aneksin I të rregullores së re të Europol-it.

Lidhur me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, kjo e fundit do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet me ligj dhe t”i dërgohet letra konfirmuese për hyrjen në fuqi të drejtorit ekzekutiv të Europol-it, duke pasur parasysh që sipas formulimit të letrës konfirmuese, marrëveshja hyn në fuqi me dërgimin e kësaj letre nga pala shqiptare.

Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.