Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i përgjigjet interesimit të medias për projektiligjin e paraqitur nga opozita mbi vetingun e politikanëve

  • Postuar më, 14/09/2018

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i përgjigjet interesimit të medias për projektiligjin e paraqitur nga opozita mbi vetingun e politikanëve


Gjatë veprimtarive të sotme në qarkun e Fierit, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi iu përgjigj interesimit të medias për projektligjin e paraqitur nga opozita mbi vetingun e politikanëve:

“Ka ditë që ky draft është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas procedurave parlamentare, dje ka qenë afati për të njoftuar seancën e parlamentit. Drafti  është pëfshirë në programin e parlamentit, iu është vënë në dispozicion deputetëve dhe është botuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë. Brenda dy javësh nga data e depozitimit, do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve, ët cilët do të bëjë një program për njohjen dhe diskutimin për materialin. Pastaj Këshilli i Legjislacionit, së bashku me Komisionin e Ligjeve, do ia paraqesin seancës plenare. Do të miratohet apo jo, është shumë shpejt për të dhënë unë verdiktin. Unë jam Kryetar i Parlamentit dhe drejtues i kësaj mbledhje, kështu që me ndalohet të deklaroj do të miratohet apo nuk do miratohet.

Sigurisht, që vetingu për politikanët është diskutuar edhe në të kaluarën, qoftë me Ligjin Organik, qoftë me Ligjin për Dekriminalizimin,  miratuar me një konsensus  të gjerë nga Kuvendi, sikurse është edhe pjesë e vetingut ligjor të politikanëve, nëpërmjet akteve të Reformës në Drejtësi. Megjithatë le të presim. Nisma është prezente, është në tavolinën e diskutimit. Do të diskutohet, do të gjykohet dhe do të vendoset në kohën dhe në momentin e duhur”.