Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, u takua me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli

  • Postuar më, 12/09/2018

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi,  u takua me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli


Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi,  priti  Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli dhe delegacionin që e shoqëronte, në përbërje të të cilit ishin edhe zëvendëskryeministrat z.Fatmir Limaj  dhe z.Dardan Gashi. Në takim u diskutua mbi pozicionin e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi. 


Në përfundim të takimi, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi bëri këtë deklaratë për shtyp:


“Sot pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z.Kadri Veseli dhe Zëvëndëskryeministrin z.Fatmir Limaj. 


Shqipëria ka qenë që në krye të herës mbështetëse pa rezervë e Dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE.


Në vlerësimin tonë, kjo është platforma e duhur për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe farkëtimin e destinacionit të tyre europian.


Në këtë këndvështrim, po ndjekim me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit dhe përfshirjen e palëve në procesin e Dialogut.


Dialogu është mekanizmi më i efektshëm  për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme, që do të garantojë zbatimin e Marrëveshjeve të arritura dhe, mbi të gjitha, njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, përmes një Dokumenti ligjërisht të detyrueshëm, siç përcaktohet në  Strategjinë e Komisionit Europian.


Ne presim dhe inkurajojmë të gjithë aktorët e përfshirë që kjo zgjidhje të jetë e drejtë, e pranueshme, afatgjatë dhe në interes të Kosovës dhe gjithë Rajonit.


10 vite më parë, Kosova kurorëzoi pavarësinë dhe filloi ndërtimin e një shteti sovran e demokratik.


Kjo u bë e mundur përmes luftës së drejtë të popullit të Kosovës dhe angazhimit të pashembullt të faktorit ndërkombëtar, kundër politikës së genocidit shtetëror serb dhe dhunimit të të drejtave të njeriut.


Investimi i SHBA-ve, NATO-s dhe partnerëve evropianë për pavarësinë e Kosovës, që i vendosi shqiptarët në krahun e duhur të historisë, është një arritje e pakthyeshme dhe gur themeli për formimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. 


Prandaj edhe diskutimet në këtë fazë finale të Dialogut duhet të rikonfirmojnë natyrshëm arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifetar, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës. 


Kjo është rruga e vetme për vendosjen e raporteve të reja mes Kosovës dhe Serbisë, përforcimin e rrugës europiane për të dy vendet, si edhe për stabilitetin e sigurinë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Apeli im është që aktorët dhe faktorët institucionale dhe  forcat politike të jenë në unitet për këtë çështje kaq të rëndësishme.”