Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj.Vasilika Hysi priti në një takim zyrtar Kryetarin e Grupit të Miqësisë Japoni – Shqipëri

  • Postuar më, 31/07/2018

31 Korrik 2018

Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj.Vasilika Hysi priti sot në ambientet e Kryesisë së  Kuvendit të Shqipërisë delegacionin e parlamentarëve japonezë, të kryesuar  nga z.Hiroshi Hase, ish Ministri i Arsimit dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri.  Z. Hase shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri z.Minoru Kiuch, i cili  ka luajtur një rol kyç në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Japoni Sh.T.Z Gjergj Teneqexhiu. I pranishëm në takim ishte edhe Ambasadori i  Japonisë në Shqipëri,  Sh.T.Z. Makoto Ito.
Të dyja palët shprehën vlerësimin maksimal për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, që janë kurorëzuar edhe me hapjen e Ambasadës Japoneze në Tiranë në vitin 2017. Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke pasur në fokus thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion potencial i investimeve dhe projekteve japoneze në rajon.
Znj. Hysi falenderoi z.Hase dhe qeverinë japoneze për hapjen e ambasadës japoneze në Tiranë si edhe për mbështetjen e vazhdueshme për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Znj.Hysi tha se Shqipëria po bën progres në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të klimës për biznesin si dhe theksoi rolin që po luan e Reformës në Drejtësi në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe rritjen e garancive për rritjen ekonomike dhe parandalimin e korrupsionit në vendin tonë.
Vizitat zyrtare të  z. Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme,  projektet e zhvillimit nëpërmjet JICA, nënshkrimi i marrëveshjes  mes Japonisë dhe BE-së nënshkruar në Korrik 2018, Iniciativa e Zhvillimit për  ballkanin Perëndimor, e ndërmarrë nga  Kryeministri i Japonisë janë disa tregues të interesit në rritje të investimeve japoneze në  Evropë dhe në rajon.
Znj. Hysi shprehu dëshirën që heqja e vizave nga pala shqiptare për shtetasit japonezë të shoqërohet  së shpejti  me heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë si dhe shprehu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për forcimin e  bashkëpunimit ndërparlamentar dhe në veçanti mes grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri –Japoni  për promovimin  dhe nxitjen e investimeve japoneze  në vendin tonë. 
“Shqipëria po punon fort për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky vit është me rendësi për tu bërë gati për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Një sërë reformash të rëndësishme po zbatohen me qëllim forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Krahas tyre, integrimi në familjen evropiane kërkon forcimin e ekonomisë dhe ndërmarrjen e një sërë reformash ekonomike. Ne vlerësojmë rolin e Japonisë në forcimin e sigurisë në Ballkanin  Perëndimor,  në veçanti  Iniciativën për Zhvillimin e Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti investimet dhe mbështetjen në fusha të të tilla si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, energjitika, bujqësia, turizmi,mjedisi.
Krahas zbatimit të Reformës në Drejtësi, po zbatohen masa të forta për parandalimin dhe  ndëshkimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit si dhe vlerësojmë rolin e investimeve të huaja dhe krijimin e mundësive të nxitjes së tyre, forcimin i lidhjeve dhe komunikimeve mes bisneseve të të dy vendeve”- u shpreh znj.Hysi.
Nga ana e tij, z. Hiroshi Hase shprehu interesin e tij në këtë vizitë të parë zyrtare dhe angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe  rolin e këtij bashkëpunimi për investimet japoneze, për nxitjen e shkëmbimeve të të rinjve në fushën e edukimit dhe sporteve. Z. Hase shprehu gjithashtu interesimin e tij për të mësuar më shumë për angazhimin e grave  në politike dhe në vendimarrje në Shqipëri dhe ftoi zëvendëskryetaren e Kuvendit znj. Hysi për një vizitë zyrtare në Japoni.
Gjithashtu z.Hase falenderoi ambasadorin e Shqipërisë në Japoni z. Teneqexhiu për punën e bërë deri tani, për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit  dhe tha se Japonia është e gatshme të  mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të reformave drejt anëtarësimit në BE, edhe në kuadër të Nismës së Ballkanit Perëndimor të lançuar nga Kryeministri japonez në fillim të këtij viti, gjatë turit të tij në Evropën.