Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

  • Postuar më, 07/04/2015

Gjatë diskutimit në komision, kërkesa e këtyre grupeve ishte që tatim fitimi të jetë 25%, por të hiqet  niveli i pagesës nga 5% për Ministrinë e Sportit dhe AMF-në. Gjithashtu ata kërkuan që niveli i moshës së lojtarëve të jetë 18 vjeç dhe jo 21, të përgjysmohet tarifa e licencimit, të ulet  distanca nga njëra pikë në tjetrën jo 200 metra sa e parashikon ligji.
I pranishëm në mbledhje ishte edhe kreu i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Artan Shyti. Ai propozoi që të ardhurat, të përdoren për edukim social. “Ne shpresojmë që të rregullojë këtë sektor mbi bazën e diskutimeve. Ky sektor ka disa problematika, ëshët informaliteti, është evazioni, pra janë tema sensitive edhe për kompanitë e licensuara që i ndeshin dhe në punën e përditshme. Ka përmirësime të dukshme, por ne mendojmë se ka shumë gjëra për të bërë. Një aspekt tjetër që ne mendojmë se nuk është ne atë nivel që duhet duhet është edhe pjesa e politikës sociale për të cilën të gjithë jemi të interesuar dhe të mendojmë që këto masa që janë aty janë të paplota dhe duhen plotësuar më tepër. Ato që janë nuk janë në qarta në kuptimin juridik”, tha ai. Ndërsa z. Adem Maha u shpreh kundër mbyljes së lojërave të fatit, pasi sipas tij kjo nuk është zgjidhja. Z. Maha deklaroi se duhen të përzgjidhen ato më cilësoret. Deputeti Edmond Spaho theksoi se këto lojëra duhet të kufizohen sa më shumë. “Shkalla e përhapjes së lojërave të fatit është në çdo pallat apo fshat dhe ky nuk është standrdi euriopian”, tha z. Spaho. Më pas, anëtarët  miratuan projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.8831, datë 22.11.2001, “Për pronësinë shtetërore në shoqëritë tregtare financiare me kapital tërësisht shtetëror”. Relatori Ervin Bushati tha se kalimi i të drejtave të përfaqësimit të pronarit shtet tek MZHETS-ja, do t’i shërbente unifikimit të trajtimit të këtyre tagrave me kompanitë e tjera, në të cilat shteti gëzon të drejta mbi aksionet. Sipas tij, ky ndryshim ligjor është i lidhur edhe me shfuqizimin e ligjit nr.10168, datë 22.10.2009, “Për përcaktimin e formës dhe formulës së privatizimit të INSIG sh.a.”, pasi INSIG, sh.a.-ja nuk u përket më sektorëve strategjikë dhe privatizimi i tij do të bëhet nga MZHETS-ja, si për të gjithë sektorët jostrategjikë, sipas kuadrit ligjor në fuqi.  


Share