Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 23/11/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjet Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunim policor” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.6, të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Gjithashtu komisioni shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjet “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave”, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2016” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri, Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave znj. Sonila Qato, zëvendësministri i Financave Erjon Luçi dhe zëvendësministrja e Financave znj. Irena Beqiraj.
Gjatë diskutimit të dy projektligjeve financiare, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2016” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, nënkryetari i komisionit z. Oerd Bylykbashi shprehu vërejtjet e tij duke u shprehur kundër.
“Ju shqiptarëve do t’i merrni më shumë para, çfarë do lloj gjëra të thoni sot, kjo do të ndodh. Shqiptarët kanë filluar ta kuptojnë përpara se të ndodh. E dyta, po deformoni strukturën nga brenda që po prodhon diskriminim ligjor dhe kjo është cenimi i Kushtetutës. Po cenoni rëndë në të dyja nivelet autonominë vendore. Këto janë element, sigurisht koleg të tjerë që merren me këtë çështje do t’ju thonë dhe gjëra të tjera, por unë besoj se për këtë çka keni sjellë, këto kështu janë të pa pranueshme”,- theksoi . Bylykbashi.
Ndërsa relatori i projektligjeve financiare, z. Bashkim Fino theksoi se ky është buxheti më i mirë që është hartuar nga qeveria. “Buxheti i parë realist që bën kjo qeveri e majtë në raport me dy buxhetet e kaluara. Sepse në qoftë se në dy buxhetet e kaluara ne nuk kishim dot mundësi dhe për aftësinë për ta arritur në këto shifra ekonomike për shkak se si e gjetëm me borxhe e të gjitha gjërat e tjera, sot ne jemi në gjendje të themi që sot kemi bërë një buxhet ashtu siç ne duam ta bëjmë”,- theksoi z. Fino.
Në fund deputetët i miratuan në parim këto dy nisma ligjore duke shtyrë shqyrtimin nen për nen në mbledhjet e radhës.