Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seanca dëgjimore për Buxhetin e vitit 2016, me disa ministra të qeverisë.
- Postuar më, 24/11/2015
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi disa seanca dëgjimore për Buxhetin e vitit 2016, me ministra të qeverisë. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut rrëzoi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPERNDARJE SH.A” pasi dy relatorët z. Ulsi Manja dhe Vexhi Muçmata theksuan se ai është në shkelje të Kushtetutës. Po sot, Komisioni zhvilloi seanca dëgjimore për Projektbuxhetit 2016 të: Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Çështjet Vendore, Ministrisë së Punëve te Brendshme, Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterie Luzi, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z. Bledi Çuçi dhe zëvendësministri i Drejtësisë z. Arben Isaraj. Gjatë seancës dëgjimore me Ministrin e Punëve të Brendshme për Buxhetin Vjetor, z. Tahiri u shpreh i kënaqur nga buxheti i caktuar dhe tha se është i mjaftueshëm, pasi ka një rritje me 6% nga viti i kaluar. “Sa i takon buxhetit të ministrisë është 19.9 miliardë lekë rritje prej 6% me buxhetin e vitit 2015. U rritën me 25% pagat e punonjësve të policisë me buxhetin e kaluar. Përsa i takon sigurisë në vitin 2012 i kushtonte një qytetari 108 lekë të vjetra në ditë. Sot e kemi rritur 137 lekë të vjetra në ditë për çdo qytetar, pra buxheti është rritur mbi 30% i investimit për më shumë siguri. Buxheti do shkojë për investime për policinë e shtetit, për repartin RENEA, laboratorin e kriminalistikës etj. Investimi për sigurinë sjell mbrapsht më shumë siguri për qytetarët”, deklaroi Ministri Tahiri. Ndërsa kryetarja e KQZ znj. Lefterije Luzi theksoi para deputetëve nevojë për një shtesë në strukturën e KQZ-së. “Sa i takon strukturës së KQZ jemi para strukturës që ishte që në 2002 dhe nuk janë reflektuar ndryshime. Është bërë e domosdoshme ndryshimi i kësaj strukture dhe duam të ndërhyjmë në disa drejtori si e ajo e financës, që duam ta shtojmë me një sektor që ka të bëjë me auditimin e financave të partive, si dhe drejtorinë e marrëdhënieve me jashtë dhe drejtorinë e trajtimit të zgjedhësve”, tha Luzi.