Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijon shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit 2016 për disa institucione

  • Postuar më, 27/11/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seance dëgjimore për diskutimin e projektbuxhetit 2016 për institucionet e Presidencës, Avokati i Popullit dhe Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi.

Krahas kësaj, komisioni diskutoi dhe miratoi nen për nen projektligjet “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar, projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave” dhe projektligji “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, Drejtoresha e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave znj. ASolina Qato, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, Shefi i Kabinetit të Presidencës z. Florian Nuri.

Shefi i Kabinetit i Institucionit të Presidencës, Florian Nuri, parashtroi këtë kërkesë mëngjesin e të premtes gjatë punimeve në Komisionin parlamentar të ligjeve. Sipas tij, Institucioni i Presidencës ka nevojë për më shumë fonde në kuadër të përballimit të aktiviteteve për vitin e ardhshëm.

“Ne si institucion vlerësojmë se në projektbuxhetin e vitit 2015 parimisht janë plotësuar thuajse të gjitha nevojat që ne kishim parashtruar, por ende mbetet ngërç fondi i shpenzimeve operative, pra për aktivitete, ceremoni etj. Institucionit të Presidentit i janë alokuar vetëm 10 milionë lekë, teksa ne kishim kërkuar 20 milion lekë për shpenzime operative. Pra nevojiten dhe 10 milion lekë për të plotësuar të gjitha parashikimet e bëra mbi evenimentet dhe shpenzimet operative të parashikuara nga institucioni ynë”, tha z. Nuri.

Gjatë diskutimeve në komision, deputetët pyetën përfaqësuesin e Presidentit nëse buxheti ka njohur rritje krahasuar me një vit më parë, por për këtë u përgjigj përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, që nënvizoi se zëri i shpenzimeve dhe investimeve ka një rritje prej 9%, teksa vlerësoi se Ministria e Financave do të marrë në shqyrtim kërkesën e Presidencës për shtimin me 10 milion lekë të fondit në fjalë.

Pas Presidencën në Komisionin e Ligjeve u paraqit, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, që shtoi se shtesat e parashikuara nga projektbuxheti i vitit 2016 janë të drejtuara lidhur me punësimin e dy komisionerëve të rinj pranë këtij institucioni. Sipas, Avokatit të Popullit ky buxhet parashikon dhe ka gjetur me vend kërkesat tona, duke i pasqyruar ato në shifra. “Ne jemi të kënaqur me projektbuxhetin e vitit 2016. Të gjitha kërkesat tona janë parashtruar. Me fondin shtesë të alokuar nga Ministria e Financave do të pranohen dy komisioner të rinj në institucionin e Avokatit të Popullit, të cilët do të rrisin e asistencën e këtij institucioni ne fushën ku ai operon”, theksoi z. Totozani.

Më pas komisioni vijoi shqyrtimin nen për nen të projektligjeve “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit te pronave”, dhe projektligji “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”. pasi më pari këto projektligje ishin shqyrtuar në parim. Në fund komisioni i votoi të katërt projektligjet duke ia kaluar seancës plenare për shqyrtim.


Share