Komisioni për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miraton dy projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 02/12/2015
Komisioni për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtuan dhe miratuan projektligjet“Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës ë Singaporit, për Shërbimet Ajrore”.
E pranishme në mbledhjen e Komisionit, ishte Ministrja e Shtetit për Inovacionin e dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito, e cila bëri edhe një përshkrim të marrëveshjes e cila u miratua. “Kjo hua me Bankën Botërore, është në vijim të huaje prej 2 milion dollarësh, të cilën e kemi prezantuar këtu para jush në muajin maj dhe është aprovuar në Parlamentin e Shqipërisë, në muajin qershor. Huaja e parë ishte ajo që quhet fond për përgatitjen e projektit dhe me anë të tij, arrihet pastaj që të përgatitet i gjithë projekti, për një hua më të rëndësishme që është kjo që prezantojmë sot këtu që është ekzaktësisht 29 milion e 300 mijë euro”,- theksoi znj. Hartio.
Duke vijuar, shpjegimin e saj, Ministrja Harito theksoi se nëpërmjet kësaj marrëveshje, synohet edhe luftimi i korrupsionit në sportelet publike duke vendosur standarde të reja në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Pas prezantimit të znj. Harito, komisioni vijoi me seancën e pyetjeve dhe diskutimeve, ku në fund e miratoi projektligjin. Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës ë Singaporit, për Shërbimet Ajrore” duke ia kaluar seancës për shqyrtim të dyja marrëveshjet.