Mblidhet Aleanca e Grave Deputete, zgjidhet kryesia e saj

  • Postuar më, 27/03/2018

  Në drejtimin e Zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi u mblodh Aleanca e Grave Deputete për të zgjedhur strukturat drejtuese. Znj. Hysi, përpara zgjedhjes së strukturave drejtuese mbajti një fjalë përshëndetëse përpara deputeteve duke shprehur gatishmërinë e saj për mbështetjen e nismave ligjore që do të propozojë Aleanca e Grave Deputete. “Uroj dhe shpresoj që takimet tani do të jenë më të shpeshta. Nga ne do të keni të gjithë mbështetjen. Në cilësinë e zëvendëskryetares së Kuvendit ju njoftoj se do të bëjmë ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, që Aleanca të ketë mbështetjen e saktë, me fonde, me aktivitetet”,- tha znj. Hysi. Deputetja znj. Albana Vokshi u shpreh gjatë mbledhjes se AGD përgjatë legjislaturës së kaluar shënoi disa arritje ndër të cilat ishte edhe vendosja e kuotave 50% për listat e kandidatëve për anëtar në Këshillat Bashkiak duke shtuar se tani më aleanca duhet të vijoi punën për ta bërë këtë kuotë edhe në listat e kandidatëve për deputetë.40339809594_0f46943387_o Deputetja e LSI-së, znj. Silva Caka u shpreh se aleanca duhet të vijoi punën në forcimin e rolit të gruas në shoqëri, përfaqësimin politik të saj si edhe forcimin ekonomik të gruas. Krahas kësaj, znj. Caka tha se “Shpresoj shumë që të jetë kjo legjislaturë dhe kjo aleancë të jetë ajo që do të rrisë përfaqësimin politik të grave në nivelet më të larta siç është ekzekutivi dhe legjislativi”. Nga PDIU mbajti një fjalë deputetja znj. Reme Lala e cila përshëndeti mbledhjen e radhës të AGD, duke shtuar se PDIU si parti parlamentare do të mbështesë të gjitha nismat që nxisin rritjen dhe fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave. Më pas, anëtaret e Aleancës së Grave Deputete vijuan procesin e zgjedhje së strukturës drejtuese ku kryetare u zgjodh znj. Dhurata Çupi, zëvendëskryetare u zgjodh znj. Elona Gjebrea dhe Sekretare u zgjodh znj. Silva Caka. Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Dhurata Çupi në fjalën e saj pas zgjedhjes si kryetare falënderoi deputetet për mbështetjen e dhënë duke shtuar se ky forum do të qëndroj larg ndikimeve politike. Zëvendëskryetarja znj. Elona Gjebrea u shpreh se kjo do të jetë një aleancë aktive. “Ju falënderoj për mbështetjen dhe jam e bindur që do të jetë një aleancë aktive në mbështetje të grave, në mbështetje të grupeve që kanë nevojë në bashkëpunim me partnerët dhe shoqërinë civile në përmbushje të gjithë rezolutave dhe detyrimeve që ne kemi”,- tha znj. Gjebrea.


Share