Anëtarë të nënkomisionit parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimit të Dhunës ndaj Gruas dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë pritën një delegacion nga parlamenti dhe qeveria ukrainase

  • Postuar më, 16/05/2018

16 maj 2018

Me kërkesë të organizatës “UN Women”, në kujdesin e zëvendëskryetares së Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, anëtarë të nënkomisionit parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimit të Dhunës ndaj Gruas dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, u takuan me përfaqësues të parlamentit dhe ministrive të Ukrainës në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Diskutimet e takimit, në përmbushje të interesit të delegacionit ukrainas, u fokusuan në çështjet e gender-it, nismat parlamentare dhe mbështetjen buxhetore në drejtim të barazisë gjinore të Republikës së Shqipërisë.

Pas prezantimit të grupit të deputetëve shqiptarë dhe pjesëmarrësve në delegacionin ukrainas, znj. Maja Bosnic, kryesuesja e delegacionit ukrainas dhe përgjegjësja e projektit “Gender Budgeting in Ukraine”, duke e falënderuar për pritjen palën shqiptare, raportoi përpjekjet e palës ukrainase në drejtim të çështjeve të gender-it dhe kërkoi të mësonte mbi përfshirjen e parlamentit shqiptar dhe praktikën shqiptare të buxhetimit për këtë çështje.

“Ukraina ka katër vjet, që merret me këte cështje dhe punon në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, por edhe me institucione të tjera. Kemi komisione të ngritura për çështjen e mbrojtjes së grave dhe mund të themi që programi që po punojmë është shumë serioz në Ukraine. Po fillojmë të punojmë në nivel parlamentar për këtë çështje dhe ndaj duam të mësojmë për përvojën tuaj.  E kuptojmë që barazia gjinore është e rëndësishme, por ta realizosh atë përmes rregullimit të buxhetit ka vështirësi”, - u shpreh znj. Bosniç.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, nj. Vasilika Hysi, e cilësoi përparësi të Kuvendit të Shqipërisë çështjen e buxhetimit gjinor. Znj. Hysi u bëri të ditur delegacionit ukrainas aktivitetin e dy ditëve më pare të Aleancës së Grave Deputete, në të cilin buxhetimi gjinor u caktua si prioritet.

“Qeveria, institucionet, Ministria e Financave kanë praktika shumë të mira në lidhje me buxhetimin gjinor të ofruara nga UN Women. Ne kemi miratuar rezolutën për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe aspekt të rëndësishëm i kemi dhënë edhe objektivit pesë, për të cilin është ngritur edhe nënkomisioni i drejtuar nga znj. Gjermeni”, - u shpreh zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

“ Ne kemi miratuar rezolutën për barazinë gjinore, ku është vënë detyrë edhe monitorimi i buxhetimit gjinor, ndërkohë ne kemi kërkuar trajnimin e stafit dhe deputetëve në çështjet e buxhetimit gjinor. Kemi vënë në planin e veprimeve tona një kërkesë ku qeveria në çdo relacion gjinor të japë të dhëna edhe për buxhetimin gjinor, për impaktin se sa një ligj ndikon te gratë dhe vajzat”, - u shpreh znj. Vasilika Hysi.

Deputetët e Kuvendit iu përgjigjën interesit të delegacionit ukrainas edhe për çështje të caktuara lidhur me temën në fokus.


Share