Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi në parim dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 21/09/2022

Në drejtimin e kryetares, znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi në parim dy projektligje të rëndësishme, që lidhen me transparencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në nisje të mbledhjes, znj.Bushka sqaroi se bëhet fjalë për dy nisma që paraqitura nga dy grupet parlamentare të mëdha, (PS dhe PD), e më konkretisht projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar”, i paraqitur nga grupi parlamentar socialist dhe projektligji  “Për një shtesë në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar”, i paraqitur nga grupi parlamentar i PD dhe për shkak të objektit të njëjtë do të shqyrtohen bashkërisht.   Të ftuar në mbledhjen e komisionit nga AIDSSH ishin: znj.Gentiana Sula, Kryetare dhe anëtarët: z.Altin Hoxha,  z.Skënder Vrioni, z.Albert Nikolla,z.Gjergj Marku, të cilët paraqitën nevojën për rishikimet ligjore dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve.

Fillimisht znj.Bushka paraqiti nismën e propozuar nga grupi parlamentar i PS, që synon shfuqizimin e pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr.45/2015, i cili parashikon që AIDSSH nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik.

Znj.Bushka sqaroi më tej se AIDSSH ka ngritur disa herë shqetësimin se për shkak të pengesës së parashikuar në legjislacionin aktual, e ka të pamundur të hetojë mbi fakte të reja, nëse gjatë hulumtimit të dokumentacionit është vënë në dijeni të provave apo fakteve, të cilat përmbysin rezultatet e mëparshme të verifikimit të kryer në kuadër të dy ligjeve të mëparshëm. “Nga ana tjetër nisur nga shpeshtësia e informacioneve, të cilat rrëzojnë herë pas here deklarata të mëparshme pastërtie, ka lindur e nevojshme që kjo pengesë ligjore të evitohet për dy arsye. Arsyeja e parë është që në kuadër të transparencës dhe të drejtës së informimit, qëllimi kryesor për të cilin edhe Autoriteti është krijuar, duhet që ligjvënësi ta pajisë Autoritetin me të gjitha mundësitë për të realizuar punën e vet. Së dyti, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ai regjim, ende ka dritëhije, ende ka informacione të pasakta, ende ka të vërteta që rrëzohen dhe opinioni publik do të duhet të informohet në mënyrë profesioniste, të vërtetë, të saktë, eficente, mbi të vërtetën që ndodh për personazhe të ndryshëm, të cilët edhe pse mund të kenë pasur një certifikatë pastërtie të mëparshme, nuk rezultojnë të jenë të tillë për efekt të dokumenteve të reja që dalin në dritë në vijim të punës së Autoritetit”, u shpreh znj.Bushka.

Më pas, z.Enkelejd Alibeaj, paraqiti në emër të grupit parlamentar demokrat që drejton, amendamentet për ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar”, për të cilat u vendos të transpozohen në projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”, i cili po shqyrtohet në komision.  Në amendamentet e propozuara parashikohet deklasifikimi i dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944, deri në krijimin e Shërbimit Informativ Kombëtar, SHIK, 2 korrik 1991, të cilët disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, duke përjashtuar nga zbatimi i kësaj dispozite dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare. Një tjetër ndryshim i propozuar nga z. Alibeaj ishte vendosja e detyrimit që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, çdo institucion i administratës publike të ketë detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 korrik 1944 deri me 2 korrik 1991 të de klasifikuara plotësisht dhe çdo person të gëzojë të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin “Për të drejtën e informimit”.

“31 vite pas rënies së regjimit komunist qytetarë shqiptar kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e plotë të asaj që ishte diktatura më e egër dhe më çnjerëzore jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës dhe më gjerë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist, nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë, që ishte ana më e errët e saj, e pikërisht Sigurimi i Shteti, veprimtaria dhe produkti i saj”, u shpreh z.Alibeaj duke shtuar se zbardhja e këtyre dokumenteve do ti shërbejë njohjes së të vërtetës për ish-të dënuarit politikë, por dhe do i shërbejë kujtesës historike të popullit shqiptar, në mënyrë që struktura dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhme. Në përfundim z.Alibeaj, theksoi se ndryshimet e propozuara nuk duhet të shihen si pjesë e dialektikës politike, por si një mjet i nevojshëm dhe i domosdoshëm që shoqëria shqiptare ka në raport me të shkuarën dhe historinë, por edhe aktualitetin dhe të ardhmen.

Deputetja znj.Ermonela Felaj (Valikaj) në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e të dy nismave për zbardhjen e së vërtetës, procedurën e ndjekur për hartimin e ligjit nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, si dhe nevojën për rishikimin e tij pas vënies në dijeni nga AIDSSH të pamundësisë për zbardhur dosje apo të dhëna për individë, për të cilët janë shprehur më herët komisionet Mezini dhe Bezhani.

Më pas përfaqësuesit e AIDSSH iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me nevojën për rishikimin e ligjit mbi të cilin veprojnë, sfidat dhe problematikat e hasura, propozimet e tyre për përmirësimin e kuadrit ligjor, etj.

 Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar”, si dhe pas miratimit në parim të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar”,  vendosi transpozimin e tij në projektligjin  “Për informacionin e klasifikuar”.


Share