Nën kujdesin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u zhvillua në Kuvend veprimtaria “Qëndro me Ukrainën”

  • Postuar më, 21/09/2022

Nën kujdesin e veçantë të Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u zhvillua sot në Kuvend veprimtaria “Qëndro me Ukrainën”. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e edicionit të 17-të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Në veprimtari merrni pjesë, përveç deputetëve të Kuvendit e të ftuarve, edhe Ambasadori i Ukrainës, z.  Volodymyr Shukrov, dhe Ambasadorja e Kanadasë, znj. Elissa Golberg. Pjesëmarrësit ndoqën me emocione të thella shfaqjen e dokumentarit “Mariupol. Shpresa e pahumbur”, i cili përmbante, midis të tjerash, edhe përjetime e rrëfime të dhimbshme e prekëse të grave të Ukrainës për tragjedinë që po ndodh në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Rusisë.

Në fjalën e saj në këtë takim, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, pasi falenderoi z. Çashku, Prof. Theodore S.Orlin, Ambasadorin e Ukrainës, z. Volodymyr Shukrov, dhe Ambasadoren e Kanadasë, znj. Elissa Golberg, për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre për organizimin e këtij takimi dhe mundësinë të diskutojmë bashkarisht me simpatinë, përkushtimin dhe mbështetjen për luftën e drejtë të Ukrainës, nënvizoi se “Lufta në Ukrainë nuk kërcënon vetëm Ukrainën, popullin dhe ekonominë e saj. Kjo luftë është një kërcënim për njerëzimin. Ukraina është një alarm për të gjithë sepse prej agresionit të Rusisë janë riaktivizuar armiqtë e paqes, të cilët mund të jenë individë, grupe terroriste, qeveri, shtete apo organizata. Nuk është rastësi që paralel me luftën në Ukrainë, janë shtuar veprimet dhe sulmet terroriste, fizike apo virtuale, në rajon e më gjerë. Terrorizmi kibernetik po kërcën njerëzimin krahas formave të tjera të terrorizmit dhe luftrave pushtuese. Unë jam krenare që Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar i pari premierën e këtij dokumentari. Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para që miratoi rezolutën kundër agresionit të Rusisë dhe për mbështetjen e popullit të Ukrainës. Presidenti Zelenski iu drejtuar në një senacë të posaçme Kuvendit të Shqipërisë.Shqipëria ishte ndër të parat që mbështeti qëndrimet e NATO-s dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.Ne ishim pjesë e Konferencës së Donatorëve. Përveç ndihmave për Ukrainën, rreth tre mijë qytetarë ukrainas janë strehuar në Shqipëri. Kryministri Rama vizitoi Kievin. Unë, në cilësinë e Kryeares së Kuvendit, iu bashkova veprimtarisë “Përqafojmë Ukrainën”, e cila u zhvillua më 21 qershor, në Amsterdam dhe ku përshëndetën personalitete të larta politike, aktivistë publikë dhe artistë të shquar nga Evropa dhe bota. Jo vetëm si kryeparlamentare, por edhe si grua dhe si nënë, gjej rastin të shpreh solidaritetin me popullin, gratë dhe vajzat e Ukrainës dhe uroj që lufta të fitohet sa më shpejt, dhimbja e saj të kalojë dhe t’i mundësojë popullit të Ukrainës normalitetin e jetës dhe të gëzimeve familjare.”

Në vijim e morën fjalën z. Kujtim Çashku, Prof. Theodore S.Orlin, Ambasadori i Ukrainës, z. Volodymyr Shukrov, dhe Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Znj. Erida Skëndaj, e cila ftoi në lidhje të drejtpërdrejtë Drejtorin  Ekzekutiv të Unionit të Helsinkit për të Drejtat e  Njeriut në Ukrainë Z. Olexandr Pavlichenko.

Më poshte fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në veprimtarinë “Qëndro me Ukrainën”.  

“Mirë se keni ardhur në Kuvendin e Shqipërisë ne këtë takim kaq njerëzor dhe kaq emocionues në këtë ditë dedikuar Ukrainës.

Dokumentari që sapo pamë, titullin e të cilit do të më pëlqente ta përktheja “Mariupol. Mbijetesa e shpresës”, është vetëm njëra prej kronikave që janë shkruar e do të shkruhen për rezistencën  e popullit të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë. Falenderoj z. Çashku dhe organizatorët për mundësinë që na krijoi të diskutojmë bashkarisht me simpatinë, përkushtimin dhe mbështetjen për luftën e drejtë të Ukrainës. 

Historia e luftës në Ukrainë ka filluar të shkruhet menjëherë pas fillimit të luftës pushtuese. Nga përshkrimet dhe përjetimet e luftës që pashë në këtë dokumentar, po veçoj një frazë që më bëri të mendohem dhe për këtë mund e duhet të reflektojmë të gjithë:“Tashmë jeta jotë nuk varet më nga ty, por nga njerëz të cilët mund t’i marrin jetët tona pa asnjë arsye!” 

Ky mesazh është rrënqethës sepse i rikujton njerëzimit kohëra prej të cilave besonte se është ndarë. Dukej sikur luftrat pushtuese ishin episode që i takonin historisë. Por prej 24 shkurti të këtij viti nuk është më kështu. Luftrat nuk janë më një rrezik, por një realitet. Njerëzimi dhe qytetërimi ndodhet realisht para sfidash serioze, të cilat nuk kërcënojnë  thjesht një vend, një popull, një komb, një rajon, Ende pa u çliruar prej pasojave të pandemisë, në horizontin e Evropës shpërtheu një luftë pushtuese.

Lufta në Ukrainë nuk kërcënon vetëm Ukrainën, popullin dhe ekonominë e saj. Kjo luftë është një kërcënim për njerëzimin Jo vetëm për potencialet bërthamorë që përmban ky vend, as vetëm për rreziqet shfarosëse që vijnë prej përdorimit të arritjeve tekonologjike. Por edhe për frymëzimin dhe riaktivizimin e armiqve të paqes, të cilët mund të jenë individë, grupe terroriste, qeveri, shtete apo organizata.Nuk është rastësi që paralel me luftën në Ukrainë, janë shtuar veprimet dhe sulmet terroriste, fizike apo virtuale, në rajon e më gjerë. Terrorizmi kibernetik po kërcën njerëzimin krahas formave të tjera të terrorizmit dhe luftrave pushtuese.Prandaj Ukraina është një alarm për të gjithë. Unë jam krenare që Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar i pari premierën e këtij dokumentari. Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para që miratoi rezolutën kundër agresionit të Rusisë dhe për mbështetjen e popullit të Ukrainës.

Presidenti Zelenski iu drejtuar në një senacë të posaçme Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ishte ndër të parat që mbështeti qëndrimet e NATO-s dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ne ishim pjesë e Konferencës së Donatorëve. Përveç ndihmave për Ukrainën, rreth tre mijë qytetarë ukrainas janë strehuar në Shqipëri. Kryministri Rama vizitoi Kievin. Unë, në cilësinë e Kryeares së Kuvendit, iu bashkova veprimtarisë “Përqafojmë Ukrainën”, e cila u zhvillua më 21 qershor, në Amsterdam dhe ku përshëndetën personalitete të larta politike, aktivistë publikë dhe artistë të shquar nga Evropa dhe bota.Jo vetëm si kryeparlamentare, por edhe si grua dhe si nënë, gjej rastin të shpreh solidaritetin me popullin, gratë dhe vajzat e Ukrainës dhe uroj që lufta të fitohet sa më shpejt, dhimbja e saj të kalojë dhe t’u mundësojë popullit të Ukrainës normalitetin e jetës dhe të gëzimeve familjare.” 



Share