Zhvillohet mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015, ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të RSH në BE”, caktohen ekspertët

  • Postuar më, 20/09/2022

Në drejtimin e dy bashkëkryetarëve znj.Jorida Tabaku dhe z.Taulant Balla, u zhvillua mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015, ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian’”. Znj.Tabaku parashtroi rendin e ditës së komisionit dhe pas miratimit të draft- kalendarit të punës dhe procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të komisionit, u vijua me një dëgjesë me z. Elvin Gjevori, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Parlamentar, i cili paraqiti për komisionin gjetjet e një raporti studimor krahasimor mbi rolin e parlamenteve të disa vendeve europiane dhe ato të Rajonit në procesin e integrimit evropian. Duke iu referuar eksperiencave të Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Estonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, z.Gjevori bëri një prezantim të gjetjeve lidhur me aktin ligjor që rregullon rolin e parlamentit në proces, si dhe cilat janë organet parlamentare përgjegjëse në këtë proces. Z.Gjevori theksoi se nga analiza del se ngjashmëritë mes ligjit 15/2015 mbi rolin e Kuvendit dhe korpusit të rezolutave dhe deklaratave të përbashkëta të Kroacisë në procesin e integrimit janë më të mëdha në raport me vendet e tjera të rajonit dhe se funksionet dhe përgjegjësitë e Komisionit të Integrimit për të dy vendet (Shqipëri dhe Kroaci) fokusohen tek përafrimi i legjislacionit vendas me “acquis” të BE-së, monitorimin e procesit, propozimin e rezolutave, kontrollin e qeverisë dhe institucioneve të tjera të përfshira në proces.

Më tej z.Gjevori prezantoi përmbledhtas edhe raportin e rolit të Parlamentit-Qeveri në procesin e integrimit, si dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë lidhur me rolin e parlamentit në këtë proces. Pas diskutimeve dhe komenteve të anëtarëve të komisionit mbi rolin që duhej të luajë komisioni parlamentar i Integrimit, KKIE dhe vetë Kuvend në procesin e integrimit, mbledhja vijoi me përcaktimin e ekspertëve që do i vijnë në ndihmë komisionit të posaçëm  në draftimin e ndryshimeve ligjore.

Znj.Tabaku njoftoi se ekspertët e komisionit do të jenë: znj.Jonida Rustemaj, znj.Fjoralba Caka, z.Indrit Vokshi dhe znj. Ilda Zhulali, si dhe dy ekspertë të jashtëm z. Hans Joachim Falenski (si propozim i përfaqësuesve të opozitës në komision), si dhe z. Alexandar Andrija Pejovic (si propozim i grupit parlamentar socialist).

Në përfundim të mbledhjes, znj.Tabaku i bëri një ftesë të hapur për të gjitha grupet e interesit për të kontribuar në procesin e amendimit të ligjit 15/2015.


Share