Kuvendi u mblodh në seancë plenare, miratoi projektrezolutën për Kosovën, projektrezolutat për katër institucione të pavarura dhe katër projektligje

  • Postuar më, 21/07/2022

21 korrik 2022

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës, ku pas shqyrtimit të projekt-rezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” dhe zhvillimit të dy interpelancave me ministren e  Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, punimet vijuan sipas rendit të ditës me diskutimin e projektrezolutave të katër institucioneve të pavarura dhe katër projektligjeve. 

Projektrezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”

Pika e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektrezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, e propozuar nga 11 deputetë të grupit parlamentar socialist. 

Projekt-rezoluta u paraqit nga Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, i cili parashtroi se pas dhjetë vitesh hetime të thelluara pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, të përfshira në Rezolutën e Këshillit të Europës të vitit 2011, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të  pabazuara në prova e fakte, ndaj dhe duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Rezoluta i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të bëjë një rishikim të Rezolutës 1782 (2011) dhe rivlerësim të çështjeve të ngritura në pikat 3 dhe 4 të saj, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, veçanërisht për sa i përket pretendimeve të rreme, të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri, sikurse dhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. “I kërkojmë Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj. Shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën”, u shpreh z.Balla gjatë prezantimit të projekt-rezolutës. 

Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës shprehën mbështetjen për projektrezolutën e paraqitur, që hedh poshtë pretendimet e ngritura në raportin e z. Dick Marty për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, por kërkuan që në të të përfshihej qartë dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. 

Deputetët e mazhorancës gjatë diskutimeve shprehën konsekuencën e qëndrimeve të Kuvendit dhe PS në mbështetje të Kosovës, kauzës së saj dhe interesave kombëtare, sikurse dhe vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën. 

Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me  125 vota pro,  0  kundër dhe 0  abstenim.

Raportet e veprimtarisë së ILDKPI, KQZ, AIDSSH dhe AP

Diskutimet vijuan me shqyrtimin e raporteve të vlerësimit të veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit dhe Avokatit të Popullit për vitin 2021.  

Fillimisht znj. Evgjeni Bashari paraqiti përpara Kuvendit bilancin e punës së institucionit që drejton, përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, si dhe drejtimet kryesore të punës për vitin 2022. Gjatë fjalës së saj, znj.Bashari theksoi se fokus i ILDKPKI-së mbetet forcimi i rolit institucional dhe hetimi i rasteve të sinjalizuara, përmbushja e rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi në Rezolutën për vitin 2021, mbështetja e procesit për verifikimin e kandidatëve për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë, etj. Ndër të tjera znj.Bashari u shpreh se ILDKPI ka përfunduar kontrollin e plotë për 238 kandidatë, përfshirë anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, gjyqtarë në Gjykatën e lartë, kandidatë për drejtorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, gjyqtarë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe krimin e Organizuar si dhe magjistratë.  Znj.Bashari bëri të ditur se pas verifikimit të pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë, ILDKPI ka raportuar në organet e prokurorisë dhe Policisë së Shtetit 72 raste, ndërsa janë vendosur 33 gjoba për këta zyrtarë. 

Përmes një projektrezolute prej 8 pikash të paraqitur nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i rekomandoi i ILDKPKI-së mes të tjerash: të ketë prioritet të punës verifikimin e kandidatëve në organet e ndryshme të sistemit të drejtësisë, të marrë të gjitha masat institucionale, në drejtim të funksionimit të plotë të sistemit elektronik të deklarimit të interesave privatë, me fokus rritjen e kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse për plotësimin e deklarimeve nga subjektet e ligjit në mënyrë të saktë, etj. 

Projektrezoluta për vlerësimin e  veprimtarisë së ILDKPI-së për vitin 2021 u miratua nga Kuvendi me 81 vota pro,  8 kundër dhe  19 abstenim.

Më pas,  Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi, raportoi lidhur me veprimtarinë e KQZ për vitin 2021, duke u fokusuar kryesisht në përgatitjet dhe administrimi i procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Z.Celibashi u shpreh se fokusi kryesor në kuadër të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve ka qenë kryesisht ndërtimi i gjithë arkitekturës rregullatore lidhur me përgatitjen dhe administrimin e këtij procesi zgjedhor; kjo për faktin se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2020 imponuan për KQZ miratimin e disa akteve rishtazi. “Pavarësisht sfidave me kohën dhe përgjegjësive të shtuara, KQZ në përgjithësi përmbushi detyrimet e saj ligjore në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve të 25 prillit të vititi të kaluar. Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODHIR, në raportin e tij përfundimtar të vlerësimit të zgjedhjeve të 25 prillit, vërejti se KQZ tashmë i reformuar iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në një mënyrë të organizuar dhe transparente pavarësisht nga detyrimet e reja të rëndësishme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja”, u shpreh z.Celibashi.  

Përmes një projektrezolute prej 11 pikash të paraqitur nga Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i rekomandoi KQZ mes të tjerash: të rishikohen proceset e punës dhe aktet nënligjore për eliminimin e problematikave të identifikuara përgjatë procesit të administrimit zgjedhor nga Komisionet e Qendrave të Votimit; të kërkojë nga subjektet zgjedhore publikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre të fushatës, para ditës së zgjedhjeve në mënyrë që të rritet përgjegjësia e partive politike, transparenca e përgjithshme e procesit zgjedhor si dhe mundësia e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar, bazuar në njohjen e burimeve të financimeve të fushatave; të merren masat për eliminimin e problematikave të përsëritura në lidhje me administrimin e fondeve nga KZAZ-të; të paraqiten në Kuvend raportet e auditimit mbi raportimin financiar vjetor të partive politike dhe mbi financimin e partive politike për fushatat zgjedhore; të miratohen aktet nënligjore, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, për të mundësuar votimin e shtetasve shqiptare me banim jashtë vendit, etj.

Projektrezoluta për vlerësimin e  veprimtarisë së KQZ për vitin 2021 u miratua nga Kuvendi me 81 vota pro,  35 kundër dhe  4 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e raportit të veprimtarisë vjetore të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) për vitin 2021, i cili u paraqit nga Kryetarja e AIDSSH znj.Gentiana Sula. 

Znj.Sula paraqiti në mënyrë të përmbledhur drejtimet kryesore të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit të mëparshëm, në të cilin janë paraqitur gjithsej 2185 kërkesa individuale, 459 kërkesa studimore mediatike dhe 876 kërkesa për qëllim dëmshpërblimi apo për vërtetim internim-dëbimi. Lidhur me punën e bërë për verifikimin e figurave, znj.Sula u shpreh se nga krijimi i AIDSSH e deri në dhjetor të vitit 2021 janë verifikuar gjithsej 2.189 kandidatë përpara emërimit / ngritjes në detyrë, si  edhe kandidatë për t’u zgjedhur deputetë e kryetarë bashkish, nga të cilët 71 kandidatë kanë rezultuar me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. 

Përmes një projektrezolute prej  8 pikash të paraqitur nga Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i rekomandoi AIDSSH mes të tjerash: të vijojë angazhimin për hartimin e draftit të aktit nënligjor që do të përcaktojë autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara duke dhënë kontribut në përcaktimin e detyrave të AIDSSH në këtë proces, por dhe më gjerë, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore; të vijojë përpjekjet për dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me autoritetet publike dhe arkivat për zbatimin e detyrimeve ligjore; të intensifikojë bashkëpunimet me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm, në komunikimin me familjet, grupet e interesit, pushtetin lokal, organizatat ndërkombëtare; të bëjë funksional sistemin e arkivit digjital, për lehtësim të procesit të kërkimit dhe konsultimit me dokumentet arkivore, sipas standardeve ndërkombëtare, etj

Projektrezoluta për vlerësimin e  veprimtarisë së AIDSSH për vitin 2021 u miratua nga Kuvendi me 1 07 vota pro,  6 kundër dhe 7 abstenim.

Raporti i fundit që u shqyrtua ishte ai i veprimtarisë së institucionit të Avokatit të Popullit, i cili u paraqit nga Avokati i Popullit znj.Erinda Ballanca. 

Në fjalën e saj znj. Ballanca bëri një ekspoze të veprimtarinë e institucionit që ajo drejton gjatë vitit 2021 në përmbushje të detyrës së tij për promovimin, parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sfidat dhe problematikat e hasura përgjatë vitit 2021, përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, etj. Përmes një projektrezolute prej 7 pikash të paraqitur nga Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i rekomandoi Avokatit të Popullit mes të tjerash: të intensifikojë reagimin institucional me vizibilitet më të shtuar në publik për rekomandimet që nuk zbatohen apo në rast mos bashkëpunimi nga autoritetet publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni kushtetues; të informojë Kuvendin për institucionet që nuk kthejnë përgjigje në lidhje me rekomandimet e adresuara si dhe të përfshijë në raportin vjetor dhe periodik institucionet që nuk kanë kthyer përgjigje; të vijojë inspektimet/monitorimet e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëvë dhe të rrisë numrin e rekomandimeve nga ky seksion me qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve;të angazhohet në përgatitjen e një plani masash për informimin dhe promovimin e mekanizmave mbrojtës të të drejtave dhe lirive, me fokus të veçantë shtetasit pjesë e grupeve vulnerabël dhe atyre të margjinalizuara të shoqërisë, etj. Projektrezoluta për vlerësimin e  veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2021 u miratua nga Kuvendi me 111 vota pro,  3 kundër dhe 7 abstenim.

Projektligjet

Në seancën e sotme Kuvendi shqyrtoi projektligjin projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për mbrojtjen shoqërore”. 

 Gjatë prezantimit të projektligjit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, sqaroi se marrëveshja synon rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në kuadër të ofrimit të përfitimeve reciproke në fushën e sigurimeve shoqërore dhe nëpërmjet parashikimeve të saj, sigurohet që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë për sa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet e shtetasve t’u njihen dhe t’u paguhen edhe jashtë vendit. Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë konkretisht pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit, ndërsa në lidhje me palën tjetër, Konfederatën Zvicerane, janë përfitimet mbi sigurimin e pleqërisë dhe sigurimin familjar si dhe përfitimet mbi sigurimin e invaliditetit, të cilat të dy palët kanë rënë dakord t’i akordojnë bazuar në legjislacionet përkatëse të mbrojtjes shoqërore.

Projektligji në fjalë u miratua me  126 vota pro 0 kundër dhe  0 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”,  i cili ka si qëllim ndalimin e aktivitetit të gjuetisë në vend edhe për një periudhë 5-vjeçare, me synim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër objekt gjuetie. 

Gjatë prezantimit të projektligjit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj.Mirela Kumbaro, theksoi se nëpërmjet këtij moratoriumi synohet vijimi i gjendjes së qetësisë dhe kushteve të favorshme për rimëkëmbjen e llojeve të faunës së egër, rritja e bashkëpunimit mes institucioneve dhe rritja e kapaciteteve e përmirësimi i mekanizmave të kontrollit si dhe krijimi i mundësive për zhvillimin e eko-turizmit. Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës u shprehën kundër shtyrjes së moratoriumit të gjuetisë për një afat tjetër 5-vjeçar, duke argumentuar ndër të tjera se me këtë moratorium po privohen gjuetarët, të cilët kanë kërkuar rishikim të ligjit dhe pezullim të moratoriumit të gjuetisë dhe se dy moratoriumet e mëparshme kanë dështuar. 

Projektligji në fjalë u miratua me 80 vota pro 45 kundër dhe 1 abstenim.

Diskutimet vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i cili synon rregullimin e marrëdhënieve ligjore që aktualisht janë të pambështetura në ligj e që nuk mund të funksionojnë midis strukturës së Policisë Ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese të krijuara si pasojë e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë,  si dhe trajtimin në mënyrë të barabartë për punonjësit ushtarakë dhe ata punonjës civilë, që janë pjesë e strukturës së Policisë Ushtarake.

Projektligji në fjalë u miratua me 76 vota pro 44 kundër dhe 2 abstenim.

Projektligji i fundit që u shqyrtua ishte “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”. Ky projektligj është nismë e 28 organizatave të shoqërisë civile , të përfaqësuara nga Drejtorja e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, znj.Iris Luarasi dhe 20.000 firma qytetarësh në bashkëpunim me nismën e deputetes znj. Erisa Xhixho, synon krijimin e regjistrit kombëtar të atyre që kanë kryer krime seksuale dhe grabitqarëve seksualë. Ky regjistër do të jetë i hapur dhe do të aksesohet nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në çdo Bashki, Zyrat Arsimore Vendore, Administratat Publike për sa i përket rekrutimit të personave dhe prindërve. Në saj të këtij regjistri do të bëhet e mundur që persona të dënuar dhe të rehabilituar, autorë të këtyre krimeve, të mos bëhen pjesë e institucioneve arsimore publike dhe private, administratat publike dhe çdo lloj instance që mundëson kontakt me fëmijët. 

Gjatë diskutimeve u vlerësua se regjistri do të jetë një mekanizëm ligjor institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime të mundshme nga dhuna seksuale, duke u siguruar një mjet efektiv për të identifikuar vendndodhjen e të dënuarve për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre. 

Për këtë projektligj, deputetja znj. Ina Zhupa paraqiti një amendament, i cili u rrëzua me 46 vota pro, 74 kundër dhe 1 abstenim

Pas diskutimeve, projektligji u miratua me 124 vota pro 0  kundër dhe  1 abstenim.


Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 22:45.


Share