Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, u thirr në interpelancë nga deputeti i opozitës z.Agron Shehaj

  • Postuar më, 21/07/2022

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, u thirr në interpelancë nga deputeti i grupit parlamentar demokrat z. Agron Shehaj, për të dhënë shpjegime dhe informacione për një vendim për zvogëlimin e hapësirës së Parkut të Butrintit. 

Në parashtrimin e tij z.Shehaj kërkoi nga ministrja nëse kishte informacion se me një vendim të Komitetit të lnvestimeve Strategjike me nr. 8/6, datë 02/12/2021 "Për miratimin e statusit "Investim/Investitor strategjik procedurë e asistuar" për projektin e investimit "Manastir Resmi- resort turistik 2, 3 dhe 4 kate me parkime nëntokë me subjekt "Alb Star SHPK", preket një pjesë e zonës së mbrojtur të Parkut të Butrintit, dhe se cilat kanë qenë arsyet se pse më datën 26 Janar 2022, me vendimin nr. 59, Këshilli i Ministrave hoqi nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Burintit pjesën ku prekej nga ndërtimi i resortit. 

Ministrja Kumbaro në përgjigjen e saj, duke iu referuar hartës së Parkut Kombëtar të Butrintit, shpjegoi se e gjithë sipërfaqja e tij është rreth 8622 ha dhe përfshin qytetin antik dhe zonat e mbrojtura. Znj.Kumbaro sqaroi se në vitet ’90 kur parku u ravijëzua, përfshinte edhe Ksamilin, i cili në atë kohë ishte ende i pazhvilluar dhe i pa urbanizuar, ndërkohë që përgjatë 30 viteve të fundit është shndërruar për shkak të ndërtimeve pa planifikim.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në vitin 2019 ndërmorri një studim për të bërë vlerësimin e zonave të mbrojtura ashtu sikurse Ministria e Kulturës bënë të njëjtën gjë sepse ëshët rekomandim i UNESCO-s për të përditësuar dhe parë rregullisht inventarin e pasurive kulturore, të njëjtën gjë bënë Ministria e Mjedisit me inventarin e pasurive natyrore. Zonat e mbrojtura  ekzistuese nga 1966 kur kanë nisur si proces kishin mungesa të theksuara informacioni dhe paqartësi në vlerën e efektshmërisë për të cilat ishin shpallur të tilla, kufijtë natyrorë në të gjitha vendimet nuk përputheshin me hartat; këto dhe jo vetëm bënë të domosdoshme rivlerësimin e statusit për të parë cilat ishin ato zona që e kishin humbur”, shpjegoi ministrja Kumbaro, duke nënvizuar më tej se vetëm për Ksamilin deri në vitin 2009 janë dhënë 27 vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, çka e bënte të domosdoshme rivlerësimin e zonës. 

Lidhur me projektin për të cilin u zhvillua interpelanca, znj.Kumbaro sqaroi se 3% e tij përkonte me atë që ka qenë zonë e mbrojtur. “97% e projektit është jashtë zonës së mbrojtur dhe është sipas parashikimit të planit të përgjithshëm vendor të Sarandës të miratuar në vitin 2017, të cilin askush nuk e kontestoi dhe parashikohet si zonë zhvillimi. Pra të thuash se hoqëm të gjithën për 3% ,nuk me del llogaria”, përfundoi ministrja Kumbaro.


Share