Zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”
- Postuar më, 20/07/2022

Në drejtimin e dy
bashkëkryetareve znj.Anila Denaj dhe znj. Dhurata Çupi, u zhvillua ditën e
sotme mbledhja e radhës së Komisionit të posaçëm parlamentar “Për Reformën
Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, me rend dite
zhvillimin e dëgjesave me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë,
si dhe KLSH. Në seancën e parë u zhvillua një seancë dëgjimore me z.Fran Brahimi,
Drejtor i Financave Vendore, në MFE, i cili paraqiti përpara komisionit të dhëna
mbi objektivat që ka pasur reforma administrative-territoriale të vitit 2014, punën që ka bërë MFE për monitorimin e
performancës financiare të institucioneve të pushtetit vendor , si dhe sfidat
me të cilat është përballuar implementimi i reformës. Fillimisht z.Brahimi bëri
një parashtrim të situatës financiare të ish-komunave, aftësinë për kryerjen e
investimeve dhe mbledhjen e të ardhurave, si dhe nevojën për rishikimin e ndarjes
territoriale dhe implementimin e reformës administrative-territoriale të vitit
2014. Më tej z.Brahimi paraqiti një panoramë të nivelit të buxhetimit, shpërndarjen
e të ardhurave, transfertës së pakushtëzuar, shpenzimet publike, shpenzimet administrative,
treguesit e performancës financiare të njësive administrative para dhe pas
reformës, etj. Z.Brahimi iu përgjigj
pyetjeve të ndryshme të anëtarëve të komisionit lidhur me eficencën financiare,
nivelin e të ardhurave të veta të bashkive, shpenzimet e bashkive për burimet
njerëzore dhe shpenzime administrative, arsyet e krijimit të borxheve të bashkive,
nivelin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë bashkitë, transfertën e pakushtëzuar,
etj. Në pjesën e dytë të mbledhjes u
vijua me dëgjesën me znj.Valbona Gaxha, Sekretare e Përgjithshme e KLSH dhe z.
Gjovalin Preçi, Drejtor i Auditimit të Buxhetit të Shtetit në KLSH, të cilët
paraqitën gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të auditimi të KLSH lidhur me
zbatimin e reformës administrative-territoriale të vitit 2014, autonominë
financiare, mirëmenxhimin e pasurive shtetërore, eficencën financiare, etj.