Konstituohet Grupi i Gjelbër pranë Kuvendit të Shqipërisë

  • Postuar më, 20/07/2022

Në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot mbledhja për konstituimin e Grupit të Gjelbër, i cili është një organizim vullnetar i ligjvënësve të grupimeve të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë. Grupi i Gjelbër përbëhet nga 30 deputetë nismëtarë, duke qënë i hapur për anëtarësime të reja në të ardhmen. Ky grupim synon rritjen e informimit dhe angazhimit të parlamentarëve dhe mundësimin e veprimit ndërpartiak për përmbushjen e angazhimeve të marra nga vendi ynë në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Mbledhja u moderua nga Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Arben Pëllumbi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të forcave politike në Parlament për të nxitur zbatimin e objektivave të Agjendës së Gjelbër dhe për të siguruar që tranzicioni i gjelbër të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët.

Konstituimi i këtij grupimi, që përkoi edhe me hapjen e negociatave të paranëtarësimit në Bashkimit Evropian për vendin tonë, u përshëndet edhe nga znj. Judith Hoffmann, drejtuese e departamentit të bashkëpunimit për Zhvillim pranë ambasadës gjermane në Tiranë dhe znj. Sonja Kurz - Drejtoreshë e GIZ Shqipëri, të cilat u zotuan për të vijuar mbështetjen e grupimit dhe rritur rolin e Grupit të Gjelbër.

Gjatë mbledhjes u miratua Rregullorja e Brendshme e funksionimit të Grupit të Gjelbër, kalendari i aktiviteteve si dhe simboli identifikues i grupimit.

Aktivitetet informuese të Grupit të Gjelbër po mundësohen nga Akademia e Studimeve Politike me mbështetjen e Fondeve të Hapura Rajonale të GIZ, në kuadër të projektit “Rritja e njohurive të Grupeve të Gjelbra Parlamentare joformale nga Evropa Juglindore mbi objektivat e Bashkimit Evropian mbi energjinë dhe transportin”.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është strategjia e re kryesore e zhvillimit të Bashkimit Evropian drejt nxitjes së një modeli të qëndrueshëm ekonomik, i cili redukton ndotjen në gjithë komponentët pritës të mjedisit. E paraqitur në dhjetor 2019, objektivi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që Evropa të bëhet kontinenti i parë me ndikim neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, duke synuar ndryshimin e qasjes së deritanishme të zhvillimit socio-ekonomik të saj.

Republika e Shqipërisë së bashku me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, është zotuar për të  mbështetur objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër të Bashkimit Evropian, në Nëntor 2020, në Samitin e Sofjes, duke nënshkruar dy deklarata: Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, si dhe krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, të cilat kanë si synim që deri në vitin 2050, ta bëjnë ekonominë e rajonit të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës, përmes një sërë iniciativash dhe reformash politike dhe financiare me qëllime gjithëpërfshirëse.

Objektivat e Agjendës së Gjelbër janë një sfidë që kërkon përpjekje të konsiderueshme nga të gjithë sektorët dhe shoqëria në tërësi. Hapi i parë dhe themelor duhet të jetë vendosja e një vizioni të qartë nga politikëbërësit dhe vendosmëria e çdo force politike në mazhorancë apo në opozitë për të ndjekur këto objektiva afatgjatë, duke siguruar zbatimin e tyre.

 

 


Share