Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për mbrojtjen shoqërore”

  • Postuar më, 19/07/2022

Në drejtimin e nënkryetares znj. Klodiana Spahiu, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për mbrojtjen shoqërore”. Për të prezantuar projektligjin dhe për të dhënë shpjegime për pyetjet e deputetëve, ishin të pranishëm znj. Delina Ibrahimi ministër në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, z.Albin Gega, Drejtor Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit dhe z.Astrit Hado Drejtor i Përgjithshëm i ISSH-së. Ministrja Ibrahimaj shpjegoi se objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë konkretisht pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit, ndërsa në lidhje me Konfederatën Zvicerane janë përfitimet që rrjedhin nga ligji federal i 20 dhjetorit 1946 mbi sigurimin e pleqërisë dhe sigurimin familjar dhe përfitimet nga ligji federal i 19 qershorit 1959 mbi sigurimin e invaliditetit. Palët kanë rënë dakord t’i japin këto përfitime, bazuar në legjislacionet përkatëse të mbrojtjes shoqërore. Në përfundim pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen në fjalë


Share