Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 19/07/2022

Në drejtimin e kryetarit, z.Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, vijoi shqyrtimin në cilësinë e komisionit përgjegjës të dy projektligjeve. Fillimisht u shqyrtua projektligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, për të cilin ishte ftuar znj.Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe stafi teknik i MTM. Projektligji ishte prezantuar më herët dhe në mbledhjen e sotme të komisionit u vijua me shqyrtimin nen për nen të tij. Në nisje të mbledhjes ministrja Kumbaro vlerësoi nevojën e shtyrjes së moratoriumit me qëllim rikthimin e rimëkëmbjes së popullatave të faunës së egër, objekt ose jo gjuetie, rikthimi i vlerave të natyrës e të diversitetit biologjik, për të cilat është shumë i vlerësuar mjedisi ynë, si dhe rritjen e numrit të turistëve në vend. Pas diskutimeve dhe sugjerimeve për përmirësimin e neneve të caktuara, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seacës plenare të radhës. Më pas komisioni vijoi shqyrtimin e projekligjit “Për disa ndryshime në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, nismë e deputetit z.Taulant Balla, e cila u prezantua në mbledhjen e mëparshme të komisionit. Të ftuar në mbledhje ishin: z.Blendi Gonxhe, Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR, si dhe stafi teknik i DPSHTRR-së, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme të deputetëve të komisionit. Gjatë diskutimeve z.Gonxhe paraqiti disa sugjerime për përmirësimin e projekligjit. Shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit do të vijojë në mbledhjet e radhës së komisionit.


Share