Komisioni për Politikën e Jashtme diskutoi projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e organeve në Kosovë e Shqipëri”

  • Postuar më, 19/07/2022

Në drejtimin e kryetares, znj.Mimi Kodheli, Komisioni për Politikën e Jashtme diskutoi projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, e propozuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar socialist. 

Në nisje të mbledhjes, znj.Kodheli parashtroi se Kuvendi i Shqipërisë ka një historik të gjatë rezolutash dhe deklaratash lidhur me Kosovën, pasi në të gjitha legjislaturat ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në Kosovë dhe në çdo fazë të diskutimit të statusit të saj ka pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme që shteti i Kosovës ka për Shqipërinë dhe rajonin. Znj.Kodheli u shpreh se tashmë ka ardhur koha që të diskutohet një rezolutë e këtyre dimensioneve që prek një çështje kaq të rëndësishme për Kosovën por dhe Shqipërinë, për të ritheksuar legjitimitetin e luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës, integritetin e kësaj kauze të drejtë në mbrojtje të lirisë dhe se pretendimet për krime lufte duhen zbardhur nga organet e drejtësisë, sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor. 

Në projekt-rezolutë i kërkohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (Follow-up Report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Ndër të tjera projekt-rezoluta konstaton se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE-së dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Në mbledhjen e sotme të komisionit mori pjesë edhe z.Enkelejd Alibeaj,kryetar i grupit parlamentar të PD, i cili gjatë diksutimeve bëri një prezantim të shkurtër të projekt-rezolutës së depozituar nga grupi parlamentar i PD për dënimin masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë. 

Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës kërkuan që në projekt-rezolutë të përdorej termi genocid serb në Kosovë. Deputetët e mazhorancës vlerësuan se projekt-rezoluta do të shërbejë për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe çlirimin e ish-drejtuesve të UÇK-sënga akuzat si dhe sjell në vëmendje një çështje ende të patrajtuar në rezolutat dhe qëndrimet e mëparshme nga Kuvendi i Shqipërisë.    

Pas diskutimeve, komisoni vendosi kalimin për votim në seancën plenare të radhës të “Rezolutës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.


Share