Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, nismë e deputetit z.Taulant Balla

  • Postuar më, 13/07/2022

Në drejtimin e kryetarit, z.Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, nismë e deputetit z.Taulant Balla. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: z.Ardi Veliu, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.Blendi Gonxhe, Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR, si dhe stafi teknik i DPSHTRR-së.

Në prezantimin e nismës, Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla, parashtroi se tre ndryshimet e propozuara, vijnë si një nevojë për të përshtatur legjislacionin e Kodit Rrugor shqiptar me legjislacionin e vendeve anëtare të BE-së. “Të gjitha ndryshimet që vijnë janë ndryshime të cilat burojnë nga eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së, ku ndër to do të citoja në mënyrë të veçantë Kodin Rrugor të Republikës Federale të Gjermanisë dhe atë të Italisë”, parashtroi z.Balla, duke theksuar më tej se objektivat kryesore të këtyre ndryshimeve janë parandalimi më efikas të aksidenteve rrugore dhe përafrimin e limiteve të moshës, sipas standardeve të BE-së. Z.Balla informoi se iniciativa për marrjen e këtyre ndryshimeve është pjesë e një sërë diskutimesh që qeveria shqiptare, por dhe anëtarë të Kuvendit,  kanë bërë me anëtarë të Bundestagut për negocimin dhe firmosjen e lejeve të drejtimit që njihen tashmë në Gjermani. Lidhur me ndryshimin e parë të propozuar z.Balla sqaroi se lidhet me zgjatjen e vlefshmërisë së lejes së drejtimit nga 10 në 15 vite, çka do të ndihmojë direkt qytetarët, pasi do t’iu kursejë kohë dhe kosto financiare. Z.Balla sqaroi se nga përllogaritjet ka rezultuar se nga ndryshimet do të përfitojnë rreth 80 mijë qytetarë shqiptarë në vit, si dhe do të kursehen rreth  9.7 milionë dollarë në një vit. Ndryshimi i dytë i propozuar ka të bëjë me kufizimin e shpejtësisë deri në 80 km/orë në autostrada dhe 70 km/orë për rrugët interurbane kryesore për të gjithë drejtuesit e automjeteve në moshë të re, për tre vitet pas datës së marrjes së lejedrejtimit të kategorive A2, A, B1 dhe B, por dhe kufizimin e mjeteve motorike që mund të përdorin. Z. Balla theksoi se për këtë ndryshim është marrë për referencë Kodit rrugor italian dhe qëllimi primar është ulja e numrit të aksidenteve. “Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj nga 15 deri në 30 janë 25 % e të gjitha aksidenteve rrugore. Me këto lloj kufizimesh pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuari për herë të parë”, u shpreh z.Balla, duke sqaruar më tej se propozimi i tretë ka të bëjë me rritjen e moshës për mbajtjen e patentës nga 65 në 70 vjeç. Në përfundim z.Balla kërkoi mbështetje që nisma të kalojë brenda këtij sesioni parlamentar, në mënyrë që nga ndryshimet ligjore të përfitojnë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen për pushime gjatë verës. Në cilësinë e relatorit, z.Pëllumbi, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe gjatë diskutimit u fokusua në tre objektivat kryesore të amendamenteve të propozuara: përafrimi i Kodit Rrugor shqiptar me eksperiencat më të mira të kodeve rrugore të vendeve të BE-së; lehtësirat që do të përfitojnë qytetarët me rritjen e moshës dhe kohëzgjatjen e afatit të vlefshmërisë së patentave, si dhe vendosja e kufizimeve për të patentuarit për herë të parë. Nisma u vlerësua edhe nga zëvendësministri i MIE z. Ardi Veliu dhe përfaqësuesit e DPSHTRR. Mbledhja vijoi me pyetje, diskutime dhe sugjerime të anëtarëve për përmirësimin e nismës, e cila do të vijojë të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së komisionit.


Share