Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 13/07/2022

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi dhe miratoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi dy projektligje.   Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i cili u prezantua nga znj.Dallëndyshe Bici, zëvendësministre e Mbrojtjes dhe u relatua nga deputetja znj.Antoneta Dhima. Znj.Bici në prezantimin e saj u ndal në risitë, nevojat për ndryshime në ligjin aktual dhe objektivat që priten të realizohen nga miratimi i tij.  Zëvendësministrja shtoi se disa nga ndryshimet e parashikuara lidhen me trajtimin në mënyrë të barabartë të punonjësve ushtarakë dhe atyre civilë, që janë pjesë e strukturës së Policisë Ushtarake. “Efektet financiare aktuale janë 13 500 000 lekë dhe nga ky ndryshim llogariten në vlerën 27 000 000 lekë në buxhetin vjetor të Policisë Ushtarake e do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, në fondet buxhetore të planifikuara në programin “Mbështetja e luftimit””, përmbylli znj.Bici.  

Deputetja znj.Antoneta Dhima në cilësinë e relatores saktësoi se projektligji ka për qëllim të rregullojë marrëdhëniet e Policisë Ushtarake me strukturat e tjera ligjzbatuese, si dhe tu japi zgjidhje disa problematikave të hasura në zbatimin e ligjit aktual si pasojë e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera, siç janë: prokuroria, gjykatat, krijimi i SPAK-ut dhe nxjerra e ligjit për Policinë e Shtetit, institucione me të cilat Policia Ushtarake bashkëpunon për realizimin e misionit të saj.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin ‘Përmirësimi i Sistemit të Shëndetësisë’”.

Të ftuar për prezantimin dhe përgjigjen e pyetjeve të deputetëve mbi këtë projektligj ishin znj. Olta Manjani, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i MFE.  Gjatë prezantimit të saj znj.Manjani parashtroi se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për mbrojtjen shoqërore është iniciuar në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, ku mbrojtja e emigrantëve rregullohet nëpërmjet aderimit në instrumentet ligjore ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve përkatëse, si dhe legjislacionit kombëtar.  “Në lidhje me përfitimet e shtetasve shqiptarë këtu vlen të theksohet bashkimi i periudhave të sigurimit dhe përllogaritja e këtyre përfitimeve. Në këtë aspekt nëse një person nuk i plotëson kushtet për realizimin e të drejtës për përfitime vetëm në bazë të periudhave të sigurimit të realizuar sipas legjislacionit shqiptar atëherë me qëllim për të përmbushur periudhën minimale të sigurimit të nevojshme për tu pajisur me të drejtën për përfitime do të merren në konsideratë edhe periudhat e sigurimit të realizuara sipas legjislacionit zviceran, me kusht që këto periudha të mos mbivendosen me periudhat e sigurimit shqiptar dhe që periudha minimale e sigurimit shqiptar të jetë të paktën 1 vit”, sqaroi znj.Manjani, duke shtuar se zbatimi i marrëveshjes nuk ka efekte financiare të menjëhershme dhe se do të sjellë si avantazh të rëndësishëm për shtetasit respektivë, bashkimin e periudhave të sigurimit dhe përfitimin e pensionit në të dy vendet.  Deputetja znj.Sorina Koti në cilësinë e relatores sqaroi se marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. “Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë konkretisht pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit, ndërsa në lidhje me Konfederatën Zvicerane janë përfitimet që rrjedhin nga ligji federal i 20 dhjetorit 1946 mbi sigurimin e pleqërisë dhe sigurimin familjar dhe përfitimet nga ligji federal i 19 qershorit 1959 mbi sigurimin e invaliditetit. Palët kanë rënë dakord t’i japin këto përfitime, bazuar në legjislacionet përkatëse të mbrojtjes shoqërore”, sqaroi znj.Koti. Pas pyetjeve dhe diskutime, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 


Share