Delegacioni parlamentar i kryesuar nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë në Kroaci

  • Postuar më, 01/07/2022

Në datë 28 - 30 qershor 2022, një delegacion parlamentar i kryesuar nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli e shoqëruar nga deputetët z. Alfred Rushaj dhe z. Besion Ajazi, zhvilloi një vizitë në Kroaci, me ftesë të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Kroat, z. Gari Capelli.  

Gjatë kësaj vizite delegacioni parlamentar shqiptar u prit nga Nënkryetari i Parlamentit Kroat, z. Željko Reiner, Kryetari i Komisionit të Jashtëm, z. Gari Capelli, Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane, z. Domagoj Hajdukovic, Kryetarja e Grupit parlamentar të miqësisë Kroaci-Shqipëri, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj dhe kolegë të tjerë parlamentarë si dhe nga Sekretari i Shtetit për Çështjet Politike, z. Frano Matušic. Znj. Mimi Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike me Kroacinë, e cila është një aleate e natyrshme dhe një nga vendet më të afërta mike të Shqipërisë. Lidhjet tona historike si dhe diaspora shqiptare në Kroaci janë baza e këtyre marrëdhenieve. Ato janë njëkohësisht faktorë tejet të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale edhe për të ndërtuar projekte të përbashkëta për të ardhmen, u shpreh ajo. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik si dhe çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi.  Tani është momenti që Kroacia të jetë më « agresive » përsa i përket nxitjes së marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve në Shqipëri, u shpreh ajo.

Bashkëbiseduesit kroatë konfirmuan vullnetin e Kroacisë për intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanëshme me Shqipërinë dhe veçanërisht rritjen substanciale të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Një rëndësi të veçantë ze përfundimi i Korridorit Adriatiko-Jonian sikurse dhe ndërtimi i Gazsjellësit Jonian-Adriatik, i cili, në situatën e sotme ndërkombëtare, ka një vlerë strategjike për diversifikimin e burimeve energjitike. Gjithashtu të gjithë bashkëbiseduesit kroate theksuan unanimitetin e të gjithë spektrit politik në mbështetje të integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. Shqipëria meriton plotësisht të hapë menjëherë negociatat me BE. Ajo  aktualisht është në vend të parë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk duhet të jetë peng i vetos bullgare. Ne jemi të gatshëm t’ju japim tërë ndihmesën dhe eksperiencën tonë në proceset integruese veçanërisht përsa i përket Kapitullit 28 dhe reformave të nevojëshme për rritjen e kapaciteteve absorbuese te fondeve europiane, u shprehën ata.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit folën gjithashtu edhe mbi çështje të aktualitetit ndërkombëtar.



Share