Kuvendi u mblodh në seancë plenare
- Postuar më, 30/06/2022

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës. Seanca e sotme mori në shqyrtim Aktin normativ nr.10 datë 18.05.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj. Delina Ibrahimaj, sqaroi se ky akt propozohet me qëllim zgjidhjen e problematikave të krijuara nga rritja e çmimeve të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut. Deputetët vlerësuan të rëndësishëm faktin që Akti normativ vjen si reagim i nevojshëm i qeverisë ndaj rritjes së menjëhershme t çmimeve të materialeve të ndërtimit, si pasojë e situatave të ndikuara nga tregu ndërkombëtar. Nga ana tjetër, deputetja e opozitës, znj. Jorida Tabaku, shprehu mosdakortësinë e saj për aktin në fjalë me arsyetimin se akti sjell amnisti indirekte të detyrimeve të firmave. Akti Normativ u miratua me 75 vota pro, 33 kundër dhe 1 abstenim. Seanca vijoi me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës
Seanca i mbylli punimet rreth orës 18.30