Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Parlamentarizmit: Kuvendi, shtyllë e demokracisë dhe interesit kombëtar e publik

  • Postuar më, 30/06/2022

30 qershori është Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit. Në mesazhin e saj me rastin e kësaj dite, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, shprehet se  “Kjo ditë bashkon 272 parlamente (193 Dhoma Deputetësh, 79 Senate) dhe rreth 46 mijë parlamentarë  në 193 shtete anembanë globit, në qëllimin e përbashkët për të fuqizuar demokracinë liberale dhe sistemet përfaqësuse. Kuvendi i Shqipërisë është anëtar aktiv i Unionit Parlamentar Ndërkombëtar dhe forumeve parlamentare ndërkombëtare.

Kuvendi është i angazhuar në reformat demokratizuese dhe integruese, udhëheq e legjitimon procesin e integrimit evropian dhe partneritetin me aleatët evro-atlantikë.

Në fillimet e shekullit të dytë të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi,  si një shtyllë e sistemit demokratik, konsolidon traditën për avancimin e reformave, mbrojtjen e interesit kombëtar e publik, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare e publike, transparencën, diplomacinë parlamentare dhe kontributin për sigurinë e paqen.”


Share