Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada: Kuvendi, kantier pune për avancimin e reformave

  • Postuar më, 29/06/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada. Në takim ishte e pranishme edhe shefja e Zyrës së KiE në Shqipëri, znj. Jutta Gützkow.

Gjatë takimit u diskutua mbi situatën dhe zhvillimet politike në Shqipëri, ecurinë e reformave, me fokus të veçantë në reformën zgjedhore dhe reformën territoriale; ecurinë e procesit të integrimit evropian si edhe përvojën e Shqipërisë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike e parlamentare dhe qeverisjen e vendit. Në përgjigje të interesimit të tyre, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, i informoi reporterët se “Bashkëpunimi i Shqipërisë me KiE dhe i Kuvendit të Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të KiE është i shkëlqyer. Shqipëria po avancon në reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese, ka kryer me sukses detyrat në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht një kantier pune për avancimin e reformave zhvillimore, demokratizuese dhe integruese. Opozita dhe grupet e saj parlamentare kanë të gjithë aksesin e nevojshëm për të kontribuar për reformat dhe për vendin.”Znj. Nikolla diskutoi me reporterët edhe mbi përvojën e Shqipërisë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare dhe qeverisjen e vendit. 




Share