U zhvillua mbledhja e Komisionit të Posaçëm parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, miratohen ekspertët teknikë dhe kalendari i dëgjesave

  • Postuar më, 29/06/2022

Në drejtimin e dy bashkëkryetareve znj.Anila Denaj dhe znj. Dhurata Çupi, u zhvillua ditën e sotme mbledhja e radhës së Komisionit të Posaçëm parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”. Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 15.06.2022, mbledhja vijoi sipas rendit të ditës: miratimi i ekspertëve teknikë të Komisionit dhe kalendarit të seancave dëgjimore, sipas propozimeve të bashkëkryetareve. Me propozim të znj.Denaj, në cilësinë e bashkëkryetares, ekspertë teknik të propozuar nga grupi i PS, u vendos të jenë: znj.Adelina Farrici dhe z. Artan Shkëmbi. Me propozim të znj.Çupi, në cilësinë e bashkëkryetares, ekspertë teknik të propozuar nga opozita, u vendos të jenë: z.Agron Haxhimali dhe z.Roland Bejko. Mbledhja vijoi me shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës dhe paraqitjen e listës së institucioneve, ekspertëve, përfaqësuesve të botës akademike dhe organizatave jo-fitimprurëse me të cilat do të zhvillohen dëgjesa publike në mbledhjet e radhës së komisionit të posaçëm, të caktuara për javën e ardhshme. Bashkëkryetaret znj.Denaj dhe znj.Çupi, paraqitën propozimet e ardhura deri më tani nga anëtarët e komisionit të posaçëm, si dhe ftuan të gjithë anëtarët që nëse kanë propozime shtesë të mund ti paraqesin në sekretarinë teknike të komisionit të posaçëm.  Pas diskutimeve, komisioni miratoi listën dhe kalendarin e seancave dëgjimore të paraqitura nga dy bashkëkryetaret


Share