Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Valikaj, dhe Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit në PAM, znj. Klodiana Spahiu, morën pjesë në Konferencen e Nivelit të Lartë “Konventa e Palermos: E ardhmja e Luftës nga Krimit Ndërkombëtar të Organizuar”, në Napoli

  • Postuar më, 21/06/2022

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Valikaj, dhe Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit në PAM,  znj. Klodiana Spahiu, morën pjesë në Konferencen e Nivelit të Lartë “Konventa e  Palermos: E ardhmja e Luftës nga Krimit Ndërkombëtar të Organizuar”, e cila u zhvillua në Napoli, në datat 20-21 qershor.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim më Zyrën e OKB-së mbi Drogën dhe Krimin si dhe Fondacionin “Vittorio Occorsio”  dhe u fokusua në luftën ndaj krimit të organizuar si një ndër angazhimet parlamentare në hartimin e normativës së re, bazuar në Konventën e Palermos.

Gjatë ditëve të Konferencës, znj. Valikaj dhe znj. Spahiu, u takuan edhe me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, z.  Gennaro Migliore. Gjatë takimit me Presidentin Migliore, znj. Valikaj dhe znj. Spahiu vunë në dukje kuadrin e plotë ligjor mbi luftën kundër krimit të organizuar si edhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, kontributin dhe përpjekjet për forcimin e sigurisë, me fokus të veçantë në sigurinë e grave, objekt i Rezolutës 1325 të OKB-së dhe pikë fokale e agendës sonë në Këshillin e Sigurimit.   Znj. Valikaj dhe znj. Spahiu evidentuan edhe  arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.  

Presidenti i PAM, z.Gennaro Migliore, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në avancimin dhe thellimin e reformave demokratizuese dhe integruese, në luftën kundër krimit të organizuar si edhe kontributin për ruajtjen dhe forcimin e paqes e të sigurisë në rajon, kontinent e më gjerë

Gjatë takimit me Presidentin Migliore u diskutua edhe mbi mundësinë e organizimit të Konferencës së PAM në Tiranë si edhe mbi fuqizimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe PAM si edhe të bashkëpunimit midis parlamenteve anëtare të PAM, mbështetur edhe në vlerat e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor


Share