Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore publike me grupet e interesit për projektligjin “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 20/06/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Grida Duma, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore publike me grupet e interesit për projektligjin:“Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.  Të pranishëm ishin drejtues të spitaleve publike dhe znj. Mira Rakacolli zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 

Fokusi i kësaj seance degjimore ishte autonomia e spitaleve, pasi siç përmendi dhe kryetarja Duma, drejtuesit e spitaleve do të jenë ekzekutorët e këtij projekti, sa të rëndësishëm aq dhe i vështirë. Drejtuesit e spitaleve rajonalë, Vlorë, Fier, Sarandë, por edhe drejtues të QSUT dhe spitalit të Traumës, në qasjet që  përcollën e konsideruan të mirëpritur projektligjin, madje të vonuar, njëkohësisht , risi për shërbimin ndaj pacientëve.

Znj. Albana Fico,  drejtoreshë e QSUT në lidhje me projektligjin,  tha se: “ai prek dhe detajon atë çka mjekët duan, si dhe krijon hapësira për të vijuar me të gjithë elementët siç janë së pari shërbimi shëndetësor, së dyti mungesa e detajimit dhe incentivimit të vetë mjekëve por edhe mundësi të bashkërendimit, krijimit të marrëveshjeve, lidhjes së kontratave për të furnizuar në mirë, për të mundësuar proçedura të cilat janë nisur, por mund të proçedohet më shpejt drejt rrugëtimit të tyre dhe për herë të parë kjo bëhet e mundur nëpërmjet kartës së autonomisë”

Më pas anëtarët vijuan me pyetje  diskutime dhe problematika rreth autonomisë së spitaleve lidhur me buxhetet dhe konkurencën që mund të ofrojnë spitalet shtetërore me ato private.


Share