Komisioni për Integrimin Europian dhe Komisioni për Çështje Evropiane në Parlamentin e Kroacisë, nënshkruan “Memorandumin e bashkëpunimit midis Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Republikës së Kroacisë dhe Komisionit për Integrim Europian të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë"

  • Postuar më, 16/06/2022

Komisioni për Integrimin Europian, zhvilloi ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, një takim me delegacionin e Komisionit për Çështje Evropiane, në Parlamentin e Kroacisë, delegacion ky i cili kryesohej nga z. Domagoj Hajdukovic, kryetar i Komitetit për Çështje Evropiane, dhe përbëhej nga Sh.T.Z. Zlatko Kramaric, Ambasador i Republikës Kroate në Shqipëri, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të miqësisë Kroaci-Shqipëri dhe znj. Gabriela Kuharic Kojic, këshilltare në Komitetin për Çështje Evropiane.

Gjatë takimit, kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian znj. Jorida Tabaku vlerësoi mbështetjen e përhershme që Kroacia i jep Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian, dhe vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, pasi potencialet e dy vendeve, po ashtu dhe ato rajonale janë të jashtëzakonshme.

Po ashtu, edhe zëvendëskryetarja e Komisionit znj. Etilda Gjonaj, në fjalën e saj theksoi se Kroacia ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE është shumë e vyer për shtetin shqiptar.


Nga ana e tij, kryetari i komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin e Kroacisë z. Hajdukovic,  u shpreh se Kroacia është një aleate e rëndësishme për Shqipërinë në rajon, me të cilën qëndrimet dhe pozicionet për çështjet rajonale dhe më gjerë, janë në të njëjtën linjë. Ai nënvizoi gjithashtu se anëtarësimi i Kroacisë në BE në vitin 2013, është një arritje e madhe dhe ngjarje historike për të gjithë rajonin dhe duke u bazuar në modelin e gjithë procesit të këtij anëtarësimi, Shqipëria ka përfitim nga eksperienca kroate.

Më tej, deputetët e pranishëm vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe dhe shumë të mira ndër vite ndërmjet dy shteteve, të cilat mbështeten në një bashkëpunim që intensifikohet vazhdimisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Pjesë e diskutimeve ishin edhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e integrimit evropian dhe të procesit të negocimit, mbështetje për të rritur Mbikëqyrjen parlamentare në fushën e integrimit evropian, mbështetje për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE, projekte të asistencës teknike, planifikimi dhe zbatimi i aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve, krijimin e qasjeve dhe projekteve të përbashkëta për promovimin e dy parlamenteve, si edhe sigurimin e hapësirës për ndërgjegjësimin e publikut mbi proceset e evropianizimit dhe modernizimit të dy vendeve.

Pas takimit, dy kryetarët e komisioneve, znj. Tabaku dhe z. Hajdukovic nënshkruan një "Memorandum bashkëpunimi midis Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Republikës së Kroacisë dhe Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë".

Ky Memorandum, ka si qëllim bashkëpunimin midis dy komisioneve parlamentare të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për konsultime të rregullta në fushën e proceseve të integrimit evropian, inkurajim dhe mbështetje në nismat që nxisin procesin e integrimit evropian duke forcuar rolin e parlamenteve në procesin e integrimit evropian, duke përfshirë, por jo vetëm, mbikëqyrjen parlamentare dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe mbështetje për bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile dhe nismat ndërkombëtare, të cilat kanë njohuri të çështjeve që lidhen me projekte individuale.


Share