Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje dhe projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021

  • Postuar më, 13/06/2022

Në drejtimin e kryetarit, z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi dy projektligje, si dhe miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021.

Komisioni mori fillimisht në shqyrtim projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”, i cili u prezantua nga z.Hantin Bonati,  zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u relatua nga deputeti z.Vullnet Sina.  Gjatë prezantimit, z.Bonati sqaroi se projekt-akti është iniciuar me qëllim përshtatjen e tij me “Kodin Ajror të Republikës  së Shqipërisë”, të miratuar me ligjin 96/2020, duke sqaruar edhe nevojat dhe ndryshimet që do të sjellë projektligji. Z.Bonati parashtroi se pavarësisht sovranitetit të plotë që ka Shqipëria në hapësirën e saj ajrore, është e rëndësishme unifikimi i këtij Autoriteti me autoritetet homologe ndërkombëtare, për sa i përket mënyrës së organizimit dhe funksionimit te tij.Më tej z.Bonati sqaroi se në projektligj synon saktësimin dhe rritjen e kompetencave të këshillit drejtues, në funksion të rritjes së autonomisë institucionale, organizative e menaxhuese. Rregullon organizimin e brendshëm administrativ, në lidhje me funksionet specifike, si dhe saktësimin dhe rritjen e kompetencave të drejtorit ekzekutiv, për dhënien e të drejtës drejtorit ekzekutiv të autoritetit në marrjen e masave administrative ndaj të tretëve, në rastin e konstatimit të mospërputhshmërisë me kriteret e përcaktuara në standardet ndërkombëtare, si dhe parashikon rastet e delegimit të së drejtës tek inspektorët e AAC-së.

“Rekomandime të vijueshme të organizmave ndërkombëtare të cilat auditojnë dhe monitorojnë në mënyrë permanente aviacionin civil, konsistojnë në nevojën e përcaktimit nga ana e shtetit të mekanizmave ligjore të përshtatshëm, të cilat do t’i mundësojnë AAC-së të tërheqë, të rekrutojë dhe të mbajë një numër të mjaftueshëm të stafit teknik të kualifikuar, me qëllim ushtrimin e funksioneve të tij si autoriteti kombëtar mbikëqyrës në aviacionin civil”, u shpreh z. Bonati.  Deputeti Vullnet Sinaj në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës dhe se projektligji synon të plotësojë boshllëkun ligjor ekzistues dhe të përcaktojë e përmbushë disa objektiva në fushën e veprimtarisë së AAC-së. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, i cili u prezantua nga znj.Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe u relatua nga deputetja znj.Anila Denaj. Në prezantimin e projektligjit, znj.Manastirliu u ndal në risitë, qëllimin dhe ndryshimet që parashikohen të sjellë në shërbimin shëndetësor.  “Qytetari ka qenë në qendër dhe në fokus të të gjithë parimeve që na kanë shoqëruar në këtë ligj, po gjithashtu kemi pasur në fokus mirëadmistrimin e burimeve tona, qofshin ato njerëzore dhe financiare në funksion të dhënies së një shërbimi më të shpejtë, më të aksesueshëm dhe më cilësor”, u shpreh znj.Manastirliu duke sqaruar se projektligji i është nënshtruar të gjitha fazave të konsultimit publik dhe se në ligj përcaktohen qartë shërbimet spitalore, tipet e spitaleve me funksionet që ato do të kryejnë, mënyrën e ndërveprimit mes tyre, planifikimi spitalor në nivel rajoni dhe vendi, etj. Ministrja theksoi se ligji parashikon si risi konceptin e ri të modelit të autonomisë spitalore, i cili parashikon të krijojë dy nënmodele: modelin e autonomisë spitalore menaxheriale dhe modelin e autonomisë spitalore financiare, nëpërmjet një instrumenti që e kemi quajtur “kartën e autonomisë spitalore”.  Modeli i ri i autonomisë spitalore do të pilotohet fillimisht në Spitalin Memorial Fier dhe znj.Manastirliu nënvizoi se do të ketë një planifikim kombëtar spitalor. Znj.Anila Denaj në cilësinë e relatores vlerësoi se projektligji parashikon autonominë spitalore, si një formë e decentralizimit për më shumë vendimmarrje financiare dhe administrative, duke garantuar në këtë mënyrë  rritje të cilësisë së shërbimeve, mbulim më i gjerë shëndetësor dhe më shumë transparencë.  Ndër të tjera znj.Denaj theksoi se shtimi i burimeve të financimit, pritet të ketë ndikim pozitiv në rritjen e pagesave të personelit shëndetësor në bazë të performancës, në rritjen e konkurrencës, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021, të cilën ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share