Komisioni për Integrimin Europian miratoi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 06/06/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dy projektligje, “Për vreshtarinë dhe verën” dhe “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.

Për projektligjin “Për vreshtarinë dhe verën”, të ftuar ishin Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Roland Kristo dhe znj. Julinda Bare përgjegjëse sektori në këtë ministri.

Z. Kristo në fjalën e tij tha se ky projektligj është diskutuar edhe me grupet e interesit dhe në përfundim është arritur të miratohet në qeveri dhe është paraqitur sot në Kuvend.

Ai u shpreh se projektligji ka për qëllim vendosjen e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës, nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar ndërkohë masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës.

Më tej, komisioni vazhdoi diskutimet mbi tre specifika të ligjit të cilat lidheshin me kërkesat e prodhuesve, dhe sesi qëndrojnë ato në raport me përafrimin e legjislacionit të BE.

Relatori i çështjes z. Lavdim Krrashi në fjalën e tij, tha se ligji për vreshtarinë dhe verën është një ligj i vjetruar dhe se ndryshimet e propozuara për të janë tepër të nevojshme.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin me ndryshimet e propozuara gjatë diskutimit në komision.

Mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Të ftuar ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Almira Xhambulla dhe znj. Klodiana Marika Drejtore në këtë ministri.

Zëvendësministrja Xhambulla në prezantim të këtij projektligji tha se ky projektligj ka si qëllim që të ndalojë ushtrimin e aktivitetit të gjuetisë me synim vijimin e përmirësimit të gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie (dhe jo vetëm) dhe se objektivi kryesor që synohet të arrihet me këtë projektligj lidhet me krijimin e qetësisë dhe kushteve të favorshme për rimëkëmbjen e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, por dhe të llojeve të tjera të cilat nuk janë objekt gjuetie dhe që ndikohen nga gjuetia e paligjshme.

“Projektligji është në një linjë me kërkesat e programit të qeverisë që e konsideron mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të rëndësishme e të përbashkët për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.”, theksoi znj. Xhambulla.

Relatori z. Blendi Klosi, vuri në dukje, se ky projektligj nuk vjen në kundërshtim me normat e Bashkimit Europian por vjen si një përpjekje e gjatë e qeverisë shqiptare dhe tashmë e parlamentit, për të shkuar në mbrojtje të faunës së egër, e cila vitet e fundit para moratoriumit ka qenë shumë e rrezikuar.

Pas komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

 


Share