Komisioni i Ligjeve miratoi projektrezolutat për veprimtarinë e KMSHC dhe KMD për vitin 2021 dhe zhvilloi seancë dëgjimore me 3 kandidatë për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.

  • Postuar më, 26/05/2022

26 maj 2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së dy institucioneve të pavarura për vitin 2021, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me tre kandidatët e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik. Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen  e Shërbimit Civil (KMSHC) gjatë vitit 2021. Deputeti Klevis Xhoxhi në cilësinë e relatorit paraqiti draft-rezolutën, ku krahas vlerësimit të punës së deritanishme, u dhanë disa rekomandime ku duhet të fokusohet puna e KMSHC përgjatë vitit 2022. Mes tyre z. Xhoxhi përmendi adresimin pranë Kuvendit nga KMSHC të propozimeve për ndryshimet e ligjit nr.152/2013 dhe akteve nënligjore me qëllim zgjidhjen e problematikave të hasura gjatë zbatimit të tij; monitorimi dhe pasja e një roli aktiv në skemën e administrimit të shërbimit civil në administratën vendore, konkretisht në ndërtimin e strukturës, përcaktimin e saktë të numrit të nëpunësve civil, qartësimin e pozicioneve të punës në raport me shërbimin civil; sjelljen e një raporti monitorimi të sjelljes së nëpunësit civil gjatë periudhës zgjedhore për 6 bashkitë; etj. Gjatë diskutimeve, deputetët e komisionit paraqitën disa propozime lidhur me rekomandimet që duhet ti paraqiten KMSHC për rritjen e kapaciteteve dhe trajnimet e sektorëve juridikë në administratë dhe dërgimin pranë Kuvendit të raporteve analitike të posaçëm me gjetjet nga monitorimi i sjelljes së nëpunësit civil gjatë periudhave zgjedhore. Propozimet u morën parasysh dhe pas diskutimeve, komisioni miratoi projekt-rezolutën për veprimtarinë e KMSHC për vitin 2021, për të vijuar me shqyrtimin e projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjatë vitit 2021. Deputeti z.Denis Deliu në cilësinë  e relatorit paraqiti draftin, duku mes të tjerash paraqiti edhe disa rekomandime ku Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi duhet të angazhohet për vitin 2022; ku mes të tjerash u kërkua: të intensifikojë aktivitetin ndërgjegjësues për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI për aksesin ndaj kujdesit shëndetësor, arsimit, drejtësisë, punësimit dhe strehimit; të angazhohet veçanërisht në zonat rurale për të nxitur respektimin e parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit si dhe të fokusohet për ndërgjegjësimin mbi gjuhën e urrejtjes, sidomos në kategoritë më të diskriminuara; etj. Pas diskutimeve komisioni miratoi draft-rezolutën dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. Më pas komisioni vijoi dëgjesat me 3 kandidatët e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik. Znj. Nertila Mihali, z.Bledar Cengu dhe z.Gjergji Mersini paraqitën përpara deputetëve  të dhëna nga eksperiencat profesionale dhe vizionin e tyre në lidhje me pozicionin për të cilën kandidonin, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve.


Share