U zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve

  • Postuar më, 24/05/2022

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Mbledhja miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 30 maj – 1 korrik 2022. Mbledhja miratoi kalendarin e punës së Kuvendit për periudhën 30 maj – 17 qershor 2022 dhe vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat  6 qershor (diskutimi i çështjeve të ngritura nga zgjedhësit gjatë javës së gjelbër), 9 qershor dhe 16 qershor 2022. Mbledhja miratoi propozimin e kryetares së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe vendosi  ngritjen e Nënkomisionit “Për Qeverisjen Vendore”, Nënkomisionit “Për të Drejtat e Njeriut, Nënkomisionit “Për Administratën Publike”.

Mbledhja u njoh me raportet e Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2021 dhe periudhën 1 janar – 31 mars 2022.

Konferenca përcaktoi datën e votimit të tretë të votimit për Presidentin e Republikës në 30 maj 2022, ora 10:00. Konferenca  caktoi afatin e shqyrtimit të kandidaturës nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut datën 30 maj 2022, ora 9:00.

Konferenca  caktoi datën e dorëzimit të dokumentacionit nga sot deri në 29 maj 2022, ora 16:00.

Konferenca nuk filloi procedurat për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e mënyrës së zbatimit të Ligjit Për Investimet Strategjike, për arsye të mungesës së anës formale, sipas Ligjit për Komisionet Hetimore dhe Rregullores së Kuvendit.


Share