Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Valikaj (Felaj), priti në takim një delegacion të Komisionit për Integrimin Europian të Kuvendit të Kosovës

  • Postuar më, 24/05/2022

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Valikaj (Felaj), priti sot në një takim tepër miqësor një delegacion të Komisionit për Integrimin Europian të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga znj. Rrezarta Krasniqi.

Zëvendëskryetarja Felaj gjatë takimit theksoi se Shqipëria është e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha dimensionet, përfshirë bashkëpunimin parlamentar. Në këtë kuadër, znj.Felaj vlerësoi tryezën e parë të kryetarëve të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar në Tiranë vitin e kaluar, si dhe shkëmbimet e vizitave të ndërsjellta mes komisioneve parlamentare të dy kuvendeve.

 

Gjatë takimit u diskutua për çështje të agjendës së punës së përbashkët, si dhe nevojën për të ndarë punën dhe për tu koordinuar paraprakisht lidhur me axhendën europiane dhe më gjerë. Një theks i veçantë u vendos në çështjet që lidhen me: aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, vijimin e njohjes si shtet dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës brenda një kohe sa më shkurtër, të cilat u vlerësuan si tepër të rëndësishme dhe ku të dy vendet duhet të fuqizojnë bashkëpunimin dhe çdo lidhje që i shërben konkretizimit të tyre.

Anëtarët e Delegacionit të Kosovës, falenderuan zëvëndëskryetaren e Kuvendit, znj. Ermonela Felaj për mikëpritjen dhe shprehën mirënjohje për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë, si në rrafshin politik, në atë teknik në fushën e mbrojtjes, ekonomike, kulturore, etj, dhe u shprehën të gatshëm  për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy kuvendeve.

 


Share