Komisioni i Ligjeve zhvilloi seancë dëgjimore lidhur me veprimtarinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2021 dhe vendosi shtyrjen e afatit të aplikimeve për pozicionin e Avokatit të Popullit

  • Postuar më, 19/05/2022

19 maj 2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës vendosi për shtyrjen e afatit me 30 ditë të dorëzimit të aplikimeve për pozicionin e Avokatit të Popullit, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me Raportin vjetor të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2021. Në nisje të mbledhjes, znj.Bushka parashtroi kërkesën e bërë nga kryetarët e grupeve parlamentare të PS dhe PD për shtyrjen e afatit për dorëzimin e kandidaturave për Avokat të Popullit, me 30 ditë, kërkesë e cila u miratua në unanimitet nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.  Mbledhja e komisionit vijoi me dëgjesën me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, z. Artur Metan, i cili në fjalën e tij përpara komisionit paraqiti veprimtarinë e ILD-së, sfidat dhe problematikat e hasura përgjatë vitit 2021, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, etj.

Në nisje të fjalës së tij z.Metani parashtroi masën e përmbushjes së 8 rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit për vitin 2020, nga të cilat 4 janë përmbushur dhe 4 të tjera janë realizuar pjesërisht dhe mbeten në proces për realizimin përfundimtar gjatë vitit 2022. “Lidhur me rekomandimin e parë është ngritur dhe vënë në zbatim sistemi i brendshëm i menaxhimit të çështjeve për procedurën hetimore në bashkëpunim me  EURALIUS. Është një sistem që ka kërkuar vetë ILD në kuadër të asistencës nga EURALIUS, pasi nevojitet për punën e përditshme, lehtësimin e procedurave për qarkullimin e dokumentacionit, ruajtjen e sigurisë së të dhënave, ndarjes së detyrave dhe trajtimit të dokumentacionit në zyrën e ILD”, u shpreh z.Metani duke theksuar se në të ardhmen sistemi do të sjellë lehtësi për të gjithë përdoruesit që kanë nevojë për gjenerimin e të dhënave dhe statistikave. Më tej z.Metani sqaroi se ILD-së iu transferuan për kompetencë 2104 ankesa dhe praktika në faza të ndryshme trajtimi të administruara nga ish-KLD, për të cilat është krijuar baza e të dhënave me qëllim pasqyrimin e të dhënave të sakta lidhur me numrin e trajtimit të tyre, objektin, pretendimet e ngritura në këto ankesa, etj. Në lidhje me bashkëpunimin me këshillat dhe organet e rivlerësimit kalimtar, Metani u shpreh se ky bashkëpunim është shndërruar në praktikë pune për sa i përket ILD-së si për informacion apo dhe për listat e magjistratëve në detyrë me KLGJ, KLP ashtu dhe me KPK. “ILD ka trajtuar me prioritet maksimal dhënien e informacionit ndaj këtyre institucioneve dhe ky rekomandim nga ana jonë konsiderohet i përmbushur”, u shpreh z.Metani duke nënvizuar se ILD ka bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe ka vendosur ura komunikimi dhe koordinimi institucional me të dy këshillat.  Në lidhje me rekomandimet e lidhura me proceset disiplinore z. Metani sqaroi se ky proces është përmbushur.  “ Manuali është i ndërtuar me analizën dhe komentet e dispozitave, format standarde të ndërtuara bazuar në kërkesa të qarta të neneve të ligjit procedural për hetimin disiplinor të shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorë dhe mbulojnë kryesisht procedurat që duhet të ndiqen gjatë procesit disiplinor”, sqaroi z.Metani, duke shtuar se ILD deri tani kanë nisur 3  inspektime tematike, ku pas marrjes së të dhënave nga gjykatat dhe prokuroritë të përfshira për inspektimin tematik për “lirimin me kusht”, janë paraqitur 2 kërkesat për procedim disiplinor në vitin 2020 dhe 1 kërkesë për procedim disiplinor gjatë vitit 2021.

Lidhur me rekomandimin e Kuvendit për vijimin me ritme të shpejta të punës për përfundimin e procedurave të rekrutimit të inspektorëve pranë Zyrës së ILD, z.Metani u shpreh se janë marrë masat e nevojshme brenda kapaciteteve, janë marrë një sërë masash të cilat kanë mundësuar ngritjen e institucionit, por edhe plotësimin e tij me kapacitet e nevojshme njerëzore. . “Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar punën me një inspektor të vetëm deri në shkurt të vitit 2021 dhe në vijimësi ka kërkuar komandimin e magjistratëve të tjerë pranë këshillave: KLGJ dhe KLP”, sqaroi z.Metani, duke shtuar se deri më tani janë emëruar 8 nga 26 inspektorë që parashikon ligji, duke parashtruar nevojën për rishikimin e kuadrit ligjor  për sa i përket rishikimit të kritereve për inspektor nga radhët e magjistratëve. Deputeti z.Saimir Hasalla në cilësinë  e relatorit të raportit vlerësoi punën e ILD-së për vitin 2021, duke u ndalur në përmbushjen e detyrave dhe rekomandimeve të progres-raportit të BE të vitit 2021 dhe konventave ndërkombëtare, ku evidentohet se ILD ka kryer plotësisht funksionet e tij gjatë periudhës raportuese, veçanërisht duke nisur dhe kryer hetime disiplinore ndaj magjistratëve. Ndërkohë që plotësimi i rekomandimeve për: emërimin e inspektorëve jomagjistratë; marrjen e masave për trajtimin e ankesave të mbartura  dhe mundësinë e kryerjes së inspektimeve tematike të rregullta vijon te mbetet pjesë integrale e rekomandimeve të rezolutës aktuale. “Veprimtaria e ILD vlerësohet për marrjen e 22 vendimeve për fillimin e hetimit disiplinor për 31 subjekte të hetimit disiplinor; nga 17 kërkesa për procedim disiplinor në këtë kuadër, 10 janë hetim të iniciuar kryesisht, ndërsa 7 janë rezultat i hetimit nga ankesat e depozituara; vlerësohet se fakti se 1 procedim disiplinor është prodhuar posaçërisht nga inspektimet tematike. Vlerësohet efikasiteti i këtyre hetimeve dhe përkatësisht nga 17 kërkesat për procedim të përcjella në Këshilla, nuk është rrëzuar asnjë kërkesë”, u shpreh ndër të tjera z.Hasalla. Më pas z.Metani iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve.

 


Share