Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seancë dëgjimore lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2021

  • Postuar më, 18/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me Raportin vjetor të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë  gjatë vitit 2021. Raporti u paraqit nga z. Alfred Balla, kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili në fjalën e tij përpara komisionit paraqiti veprimtarinë e KLP-së, sfidat dhe prolematikat e hasura përgjatë vitit 2021, përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, etj. Z.Balla parashtroi se KLP përgjatë vitit 2021 ka zhvilluar 39 seanca plenare dhe ka marrë 450 vendime, ka përgatitur 52 raporte vlerësimi profesional për prokurorët, në kuadër të procesit të Vettingut, si dhe ka kryer procesin e vettingut për të gjithë kandidatët prokurorë përpara se ata të fillojnë shkollën e Magjistraturës. “Për vitin 2021 në zbatim të Rezolutës së Kuvendit, ne jemi mundur që procedurën e caktimeve të përkohshme ta minimizojmë, e për këtë qëllim KLP ka hapur garën për drejtues në shumicën e prokurorive të rretheve në vend. Përgjatë vitit 2021 kanë kandiduar 24 prokurorë që u kemi bërë kontroll të figurës dhe pasurie”, u shpreh z.Balla, duke shtuar se KLP ka kryer vetting edhe për kandidatët për inspektor në ILD dhe ka komanduar 3 prokuror pranë këtij institucioni. Lidhur me procedimet disiplinore, z.Balla u shpreh se ILD ka dërguar 5 procedime, nga të cilat 2 janë duke u trajtuar, ndërsa për 3 të tjerat, KLP ka marrë masë për shkarkimin e dy prokurorëve dhe është dhënë vërejtje një tjetri. “Gjatë vitit 2021 kemi miratuar një rregullore të rëndësishme për veprimtarinë dhe organizmin e brendshëm të KLP. Po ashtu gjatë këtij viti kemi bërë pezullime të prokurorëve pasi kemi pasur dy prokurorë të arrestuar dhe 1 me arrest shtëpie”, u shpreh z.Balla duke vijuar më tej se gjatë vitit të kaluar ka pasur 58 ankesa nga qytetarë dhe prokurorë dhe janë dhënë 49 vendime. “Gjatë viti 2021 janë caktuar përkohësisht si drejtues 14 prokuror, 12 në Shkallë të parë, 2 në Apel. Kemi emëruar dy prokurorë në SPAK. Sot që flasim struktura e miratuar nga Komisioni i Ligjeve është 20, por aktualisht ushtrojnë detyrën 17”, u shpreh z.Balla, duke theksuar më tej nevojën për plotësimin e vakancave në organet e prokurorisë, të krijuara nga largimet prej vettingut.  “Gjatë vitit 2021 nga procesi i Vetingut na janë pezulluar 41 prokurorë, shkarkuar 41 prokurorë të tjerë dhe në sistem aktualisht janë 204 prokurorë, kur organika e prokurorisë shqiptare është 341. Kështu Prokuroria e Përgjithshme ka 19 prokurorë dhe ushtrojnë detyrën 9 prokurorë. Në Apelet e republikës, kemi në organikë 26 prokurorë, kemi në fakt 17 sot.  Në prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm, pra shkalla e parë nga 278 prokurorë që duhet të kemi aktualisht kemi 161 prokurorë. Në Spak kemi vetëm 17 nga 20. Kanë kaluar me sukses vetingun 78 prokurorë. Kemi 21 dorëheqje të prokurorëve, 11 kanë dal në pension dhe janë rreth 20 prokurorë të komanduar”, u shpreh z. Balla, duke vijuar më tej raportimin lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional të KLP me strukturat e tjera lizgjbatuese dhe institucionet ndërkombëtare. Deputeti z. Saimir Hasalla në cilësinë e relatorit parashtroi vlerësimin e raportit të veprimtarisë së KLP, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përmbushjen e rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit të vitit të kaluar dhe në disa sugjerime për përmirësimin e punës së KLP. Më pas z.Balla dhe përfaqësuesit e KLP iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me masat e marra për plotësimin e vakancave me studentët e Magjistratutës që do të diplomohen së shpejti, plotësimin e vakancave në SPAK; vlerësimet periodike të drejtuesve të prokurorisë, etj.


Share