KKIE zhvilloi takimin me temë “Ecuria në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”

  • Postuar më, 18/05/2022

18 maj 2022

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin me temë “Ecuria në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE - Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”, çështje për të cilën ishin thirrur për të raportuar z.Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe z. Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në takim mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe Nënkryetari, z. Taulant Balla, të cilët vlerësuan rëndësinë e tryezave të tilla raportuese për të adresuar çështje thelbësore dhe monitoruar zbatimin e parakushteve për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë, ku një vëmendje të posaçme i është lënë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, në fjalën e saj duke iu referuar rekomandimeve të Progres-raportit të Komisionit Europian për vitin 2021 në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, u shpreh se Shqipëria nuk ka ende një historik të të dhënave dhe rasteve të hetimit dhe dënimit të korrupsionit të zyrtarëve të niveleve të larta, duke nxitur një kulturë mos-ndëshkueshmërie. “Ndikimi i masave kundër korrupsionit, veçanërisht në fushat vulnerabël si: dogana, administrim tatimesh, arsim, shëndetësi dhe prokurime publike mbetet i kufizuar”, citoi progres-raportin znj.Tabaku duke shtuar se pavarësisht se lufta ndaj korrupsionit është proces që nuk përmbyllet për një kohë të shkurtër, që të jetë dinjitoz dhe me rezultate konkrete i takon organeve të drejtësisë, ta përkthejnë mbështetjen e dhënë në rezultate domethënëse në hetimin ndaj korrupsionit. Znj. Tabaku u ndal më tej në tre çështje thelbësore që sipas saj duhet të adresoheshin në këtë takim. Së pari, nevoja e ndarjes së politikës ndaj vendimmarrjes së vendime gjyqësore dhe mosndërhyrjes së politikës në çështjet e hetimit të korrupsionit; së dyti, hetimi i krimeve zgjedhore dhe së treti, lufta ndaj fenomenit të pastrimit të parave, pasi Shqipëria është ri-konfirmuar në “listën gri” dhe niveli apo kapaciteti i institucioneve shqiptare ndaj luftës ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, si dhe forcimit të hetimit financiar dhe pasuror. “Unë e kam thënë që në krye të herës që ky Këshill është mbledhur, që procesi i integrimit është një proces transformues, pak rëndësi ka nëse vjen apo jo data, çfarë bëjmë ne për të shkuar tek ky proces, çfarë rezultatesh kemi ne”, u shpreh znj.Tabaku duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së pavarësisë së institucioneve ligjzbatuese dhe krijimin e kushteve për mosndikimin nga sulmet politike.

Nënkryetari i KKIE-së, z. Taulant Balla, në fjalën e tij parashtroi se Shqipëria i ka kryer detyrimet që duhet të përmbushë për procesin e integrimit europian dhe se në fund të Qershorit pritet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri –BE, megjithatë theksoi se përgatitja dhe adresimi në kohë i parakushteve është shumë themelor në javët në vijim.

Z.Balla theksoi më tej se raportimi duhet të jetë i fokusuar në çështje konkrete se si janë adresuar 4 rekomandimet, që lidhen me: fuqizimin e luftës kundër korrupsionit; kulturën e mos-ndëshkimit ndër vite në nivelet e larta; garantimin, me efikasitet të luftës kundër korrupsionit; garantimi që procedimet penale të iniciohen në mënyrë të vazhduar dhe sistematike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettimit. “Më rezulton që nuk jemi ku duhet. Shqipëria nuk ka ende një listë të plotë të ish-gjyqtarëve, ish- prokurorëve dhe të ish -magjistarëve që janë shkarkuar nga Vettingu, që kanë rezultuar me mos-përputhje tepër të mëdha të gjendjes së tyre të pasurisë dhe të atyre që kanë deklaruar si të përfituar në mënyrë ligjore dhe që për të cilën duhet që hetimet të jenë të forta. Numri i asaj që raportohet është shumë i vogël me numrin e magjistratëve të shkarkuar me disproporcion të tmerrshëm pasurie”, u shpreh z.Balla, duke shtuar nevojën e rolit pro-aktiv të organit të Prokurorisë për rastet e korrupsionit dhe çrrënjosur kulturën e mos-ndëshkimit, duke sjellë si shqetësim dhe referuar rasteve të mosnisjes të hetimeve për çështjen e 21 janarit, tragjedinë  e Gërdecit dhe individëve të shpallur “non-grata” nga SHBA, si të përfshirë në veprime korruptive të tilla si: shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale. “Edhe një herë dua të shpreh mbështetjen e fortë të Kuvendit të Shqipërisë  në luftën kundër korrupsionit, mbështetjen e fortë  të shumicës parlamentare ndaj institucioneve të pavarura që të  bëjnë detyrën e tyre, dhe të kërkosh  të zbatohet ligji dhe të luftohet korrupsioni nuk është sulm, është mbështetje”, përmbylli z.Balla.

Më pas, ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja raportoi lidhur me zbatimin e rekomandimeve dhe detyrimeve që lidhen me Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, si dhe Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.  Ministri Manja parashtoi se e konsideron KKIE si vendin e duhur për të konsoliduar përpjekjet në luftë kundër korrupsionit, jo vetëm për të vendosur themelet e një administrate me integritet, por edhe për të përgatitur vendin për procesin jetik të negociatave me BE. Duke iu referuar raporteve, z.Manja theksoi se Komisioni Evropian ka vlerësuar në vijimësi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet në procesin e integrimit dhe mbajtjes së tryezës së parë ndërqeveritare. “Zbatimit të rekomandimeve në kuadër të luftës kundër korrupsionit i kemi kushtuar vëmendje të shtuar, edhe për shkak të prioritizimit të luftës kundër korrupsionit, përmes përfshirjes së Kapitullit 23 në grupin e kapitujve themelor që do të hapet i pari dhe që do të mbyllet i fundit. Në raportin e fundit të KE për Shqipërisë, atë të vitit 2021, citohet shprehimisht: Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Është bërë progres në forcimin e luftës kundër korrupsionit. Zbatimi i strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit në përgjithësi është në rrugën e duhur. Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve po sjell rezultate në luftën kundër korrupsionit. Krijimi i një rrjeti koordinatorësh kundër korrupsionit në 17 institucione është hap pozitiv. SPAK kontribuoi në përmirësimin e sekuestrimit dhe sekuestrimit të aseteve kriminale në rastet e lidhura me korrupsionin”, u shpreh z.Manja, duke detajuar më tej masat konkrete të mara në përmbushje të rekomandimeve të KE. Duke iu referuar rekomandimit për forcimit të kuadrit ligjor dhe institucionale, ministri Manja u shpreh se qeveria shqiptare ka krijuar Drejtorinë e Përgjithshme të antikorrupsionit dhe Rrjetin e Koordinatorëve Kundër Korrupsionit, me qëllim garantimin e një qasje gjithëpërfshirës në hartimin e politikave anti-korrupsion, si dhe hetimeve administrative, duke forcuar kapacitetet dhe adresuar rekomandimet e dhëna në këtë drejtim. Z.Manja detajoi më pas se Rrjeti i Koordinatorëve Kundër Korrupsionit ka propozuar 152 masa administrative për një sërë institucionesh, masa disiplinore dhe shkarkime nga puna, si dhe ka bërë 21 kallëzime për zyrtarë të niveleve ekzekutive dhe nëpunës të nivelit të lartë. “Kanë përfunduar 350 praktika të denoncuara si korruptive nga ku priten të gjenerohen raporte për rekomandime për marrjen e masave administrative, por dhe për kallëzime penale”, u shpreh z. Manja. Në përfundim ministri Manja u ndal në masat e marra për plotësimin e rekomandimit për forcimin e luftës së korrupsionit në procesin e ligjbërjes, ku mes të tjerave përmendi hartimin e Manualit standard për hartimin e legjislacionit, të hartuar me misionin Euralius; masat e marra nga qeveria për shmangien e korrupsionit nëpërmjet digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët; përpjekjet për plotësimin e 10 rekomandimeve të GRECO-s, nga të cilat 9 janë përmbushur plotësisht dhe 1 është në proces, i cili lidhet me plotësimin e Gjykatës së Lartë me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve. 

Më pas, Kryeprokurori z. Olsian Çela raportoi lidhur me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshëm për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke theksuar mes të tjerash rekomandimin e bërë ndaj prokurorëve të shkallës së parë dhe apelit për rritjen e rolit aktiv në hetimet paraprake si dhe kryerjen e hetimeve proaktive për rritjen e efektivitetit kundër korrupsionit. “Prokurorët për vitin 2021 kanë rritur kryerjen e hetimeve proaktiv kundër korrupsionit me përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit me 59 procedime penale për vepra penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën”, u shpreh Kryeprokurori duke vlerësuar se ky proces i ka shërbyer si parandalimit, ashtu dhe finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 40 personave të dyshuar për vepra penale në kompetencë të organit të prokurorisë.  Duke iu referuar bashkëpunimit ndërinstitucional me SPAK, z. Çela u shpreh se janë transferuar 11 procedime penale, vetëm për veprat penale në fushën e korrupsionit që janë kompetencë e SPAK, duke detajur më pas numrin e rasteve sipas veprave penale; masat e marra për ndryshimin e kuadrit ligjor për rritjen e aksesit në të dhënat shtetërore në funksion të koordinimit më të mirë në luftën kundër korrupsionit që lidhen me detyrën dhe pastrimin e parave; masat e marra për trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve; bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë për raportimin periodik, masat e marra për rritjen e efektivitetit të luftës kundër fenomenit të pastrimit të parave. Kryeprokurori u shpreh se për veprat penale të parashikuara nga nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal, janë regjistruar 301 procedime penale të reja me 56 të pandehur, dhe 18 procedime me 33 të pandehur u dërguan për gjykim, si dhe 21 persona janë dënuar. “Këto tregues evidentojnë një rritje prej 7.01 % të procedimeve të regjistruara dhe një rritje prej 31.25 % të personave të dënuar për këto dy vepra të pastrimit të parave”, u shpreh z.Çela.