Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me kryetarin e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, lidhur me raportin vjetor për vitin 2021

  • Postuar më, 18/05/2022

Ne drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi njw seancë dëgjimore me kryetarin e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, z. Tomi Frashëri, lidhur me raportin vjetor të AKEP-it për vitin 2021.  Po ashtu, pjesë e dëgjesës ishin edhe znj. Eriola Mosko drejtoreshë kabineti AKEP, z. Gazmir Mani drejtor Tregu AKEP dhe z. Bleron Dokle drejtor juridik AKEP.

Z. Frashëri gjatë prezantimit të këtij Raporti u shpreh se Raporti i vitit 2021 tregon një qëndrueshmëri mjaft te madhe te rrjeteve fiks dhe mobile gjatë sprovës  dyvjeçare të pandemisë, e cila nxiti sipërmarrësit e ekosistemeve digjitale në vend të investonin edhe më  shumë në modernizimin e tyre.

“Nga 75% që ishte mbulimi i territorit me rrjete LTE 4G në vitin 2019, ai shkoi drejt kompletimit tërësor  me 95.90% vitin e kaluar. Më rëndësi është të vërehen përpjestimet gjithmonë e më të mëdha që po  merr investimi në fibrën optike për sa i përket cilësisë së rrjeteve për ofrimin e aksesit broadband ne  rrjetet fikse.”, theksoi z. Frashëri.

Po ashtu, ai tha se qëndrueshmëria e rrjeteve e testuar nga nevoja e shumëfishuar për internet cilësor dhe të shpejtë gjatë pandemisë, krijoi gjithashtu një besueshmëri në rritje ndaj mediumeve digjitale tek përdoruesi  fundor, përditshmëria e të cilit nuk mund të konceptohet dot sot e shkëputur nga telendërveprimet.  Fraktura digjitale (Digital Divide) ka ardhur për pasojë duke u tkurrur gjithmonë e më shumë edhe në  Shqipëri. Kështu, vetëm gjatë vitit 2021, volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në  rrjetet mobile arriti në rreth 155 milion GB, çka përbën një rritje rreth 74.9% krahasuar me vitin 2020. Si  rrjedhojë, konsumi mesatar mujor i internetit për pajtimtarë është rritur me rreth 64% duke arritur në rreth 6.39 GB në muaj.

“Së fundmi, është e udhës të përmendet veprimtaria e AKEP në dimensionet e tij monitoruese dhe  inspektuese, gama e gjerë e të cilëve është shtjelluar në kapitullin përkatës të raportit. Lufta ndaj  informalitetit në sektorin postar dhe mbrojtja e vazhdueshme e përdoruesit në sektorin e komunikimeve  elektronike e kanë detyruar AKEP të jetë i patrajtueshëm në zbatimin e ligjit, përfshirë këtu përmes  marrjes së masave administrative të qenësishme dhe proporcionale kundrejt një sërë sipërmarrësve.”, nënvizoi z. Frashëri.

Relatori i çështjes, z. Laert Duraj tha se është e qartë që jemi në një periudhë pozitive, përpos shifrave të përmendura në këtë raport, si edhe vlerësoi punën e AKEP pasi u shpreh se ka realizuar pothuajse tërësinë e rekomandimeve të  Rezolutës së Kuvendit për vitin e kaluar.



Share