Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021

  • Postuar më, 17/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi një projektligj dhe zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021. Fillimisht, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili u prezantua nga znj.Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua nga deputeti z.Denis Deliu. Znj. Xhembulla paraqiti thelbin e ndryshimeve ligjore të propozuara dhe argumentoi arsyet e kërkesë për shtyrjen e afatit edhe me 5 vite të ndalimit të gjuetisë në të gjithë vendin. “Kjo kohë do të na shërbejë për të vazhduar punën e nisur për rimëkëmbjen e popullatave në të gjitha llojet e shpendëve dhe do të krijojë mundësinë për një pasurim të ndjeshëm të biodiversitetit në Shqipëri. Rritja e tij dhe sidomos e efektivave të shpendëve do të sillte pa diskutim edhe një rritje të plotë të eko-turizmit që lidhet me aktivitete të tilla si: vizitorët vrojtues të shpendëve apo turet që lidhen me dashamirësit e natyrës dhe mjedisit”, nënvizoi znj. Xhembulla. Deputeti z.Denis Deliu në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës në pasurimin e biodiversitetit në vendit tonë dhe se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim projektligjin dhe gjatë shqyrtimit nen për nen, u miratua një amendament i relatorit z.Deliu për shtimin e një neni që lidhet me afatin e nxjerrjes së akteve nënligjore për zbatimin e tij. Në përfundim komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit vijoi me dëgjesën me z.Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, i cili paraqiti  Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021. Z.Çela paraqiti përpara komisionit raportin vjetor të veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm duke u ndalur në të dhëna për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në vend, për eficiencën e punës së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe efektivitetin e hetimeve, zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit, etj.  

Z.Çela parashtroi se organi i Prokurorisë për vitin 2021 ka trajtuar 61.015 materiale, duke shënuar një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020. “Janë ndjekur gjithsej 47.512 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 5,97 % në krahasim me vitin 2020, nga të cilat 28.368 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje me 1,71 % në krahasim me një vit më parë dhe 940 procedime janë të rifilluara, një tregues ky në rritje në masën prej 46,87 % në krahasim me një vit më parë. Janë mbartur në vitin 2021, 18.204 procedime penale me një rritje prej 11,65 % krahasuar me procedimet e mbartura një vit më parë. Ndërkohë është vendosur mos fillimi i procedimit për 13.503 referime dhe kallëzime penale, me një ulje prej 0,94 % në krahasim me vitin 2020. Edhe për vitin 2021 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me rreth 31,31 % të numrit total të procedimeve të pasura nga  Prokuroritë Elbasan, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe me radhë”, u shpreh z.Çela, duke shtuar se përqindjen më të ulët të kriminalitetit e ka pasur Qarku Dibër, ndërsa më të lartin e ka Qarku Vlorë.

Për sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale, krimeve dhe kundërvajtjeve, Prokurori i Përgjithshëm detajoi se 78,77 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21,23 % i përkasin kundërvajtjeve penale, ndërkohë që numrin më të lartë të procedimeve e kanë shënuar ato për veprat penale kundër rendit dhe sigurisë. Në vijim, z. Çela u shpreh se gjatë vitit 2021 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10507 procedime penale, duke shënuar një rritje prej 5,07 % në krahasim me vitin 2020, ndërkohë që numri i të pandehurve ka qenë 12353, duke shënuar rritje prej 7,14 % në krahasim me një vit më parë. Më tej Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se gjatë vitit 2021 janë përfunduar 25688 çështje, që përbën ulje prej 1,84 % të çështjeve  të përfunduara krahasuar me vitin 2020, prej të cilave 40,86 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 33,72 % janë pezulluar dhe 2,8 % janë transferuar në prokuroritë kompetente. Z. Çela nënvizoi se lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, edhe për vitin 2021 ka qenë objektiv prioritar institucional, në përmbushje edhe të kërkesave dhe rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare. Kryeprokurori Çela nënvizoi më tej se është shënuar një rritje e bashkëpunimit dhe koordinimit me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe disa agjencive lizbatuese për kryerjen e hetimeve pro-aktive lidhur me krimet zgjedhore. Z.Çela sqaroi se në kuadrin e implementimit të ndryshimeve me paketën ligjore në fushën e zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm miratoi Udhëzimin e Përgjithshëm nr.2, datë 31.03.2021 “Për disa ndryshime e shtesa në udhëzimin e përgjithshëm nr.3, datë 21.06.2019 “Mbi masat administrative dhe procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm në periudhën para dhe pas zgjedhore”, në përqasje dhe me ndryshimet e reja ligjore të Kodit Zgjedhor me ligjin 118/2020, ashtu dhe me ndryshimet në ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në RSH” me ligjin nr.184/2020, me synim unifikimin e masave në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm në periudhën para dhe pas zgjedhore të vitit 2021.Referuar të dhënave statistikore në vitin 2021, evidentohet se në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar dhe ndjekur 4736 procedime penale për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Përgjatë vitit, 7 çështje penale me 52 të pandehur janë dërguar për gjykim, dhe janë dënuar 46 persona”, u shpreh z.Çela. Më tej Kryeprokurori u ndal edhe në bashkëpunimin me disa institucione dhe agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare, si dhe nismat për përmirësime të kuadrit ligjor. Më pas Kryeprokurori Çela iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve. 


Share