Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një projektligj dhe projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së INSTAT për vitin 2021

  • Postuar më, 17/05/2022

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen  e tij të radhës vijoi shqyrtimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.  Komisioni e kishte miratuar parimisht projektligjin më herët dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin nen për nen të tij. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, znj.Entela Çipa, Sekretare e Përgjithshme e MK, si dhe stafi teknik i ministrisë. Në nisje të mbledhjes ministrja Margariti i ktheu përgjigje pyetjeve të ngritura nga deputetët në mbledhjen e kaluar, duke theksuar se pronësia e territorit dhe aseteve të Butrintit i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit dhe se administrimi i tij do të bëhet nga një fondacion i posaçëm, i themeluar nga shteti shqiptar në bashkëpunim me AADF. Znj.Margariti nënvizoi se modeli që po aplikohet i hap udhën një mundësie të re të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar i suksesshëm ndër vite në shumë sitte të trashëgimisë botërore. “Ministria e Kulturës ka tagrin në çdo moment, nëse shikon që nuk realizohen objektivat ose nuk arrijmë standardet që janë të parashikuara në plan menaxhimi, plan biznesi ka gjithë tagrin në marrëveshje që ta ndërpresë  këtë marrëveshje. Marrëveshja është 10-vjeçare dhe nuk ka një rinovim automatik”, sqaroi znj.Margariti. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.  Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së INSTAT për vitin 2021, e cila i kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share