Kuvendi u mblodh në seancë plenare, përfundon Raundi i Parë i Zgjedhjes së Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 16/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh ditën e sotme në seancë plenare, për zhvillimin e votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në hapje të kësaj seance, kryetarja znj. Nikolla tha se, bazuar ne Nenet/ 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës dhe Nenin/109 të Rregullores së Kuvendit, u mblodh Konferenca e Kryetarëve e cila me Vendimin nr. 9 të datës 10.5.2022, vendosi fillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe caktimin e datës 16 Maj 2022, ora 17:00, si datë dhe orë e parë e zhvillimit të votimit të parë të zgjedhjes së Presidentit. 

Më pas, kryetarja e Kuvendit znj. Lindita Nikolla ftoi kryetaren e komisionit për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Klotilda Bushka, për të paraqitur Raportin e miratuar nga ky Komsion, për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. 

Znj. Bushka në fjalën e saj tha se deri në momentin kur ishin përcaktuar afatet ligjore nuk u dorëzua asnjë kandidaturë, çka bën që raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të kalojë pa asnjë emër dhe pa votim.

“Komisioni për Cështjet Ligjore shqyrtoi në një mbledhje të posaçme, sot, çështjen sa i takon raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit. Komisioni konstatoi se, deri në afatin e përcaktuar asnjë kandidaturë nuk është depozituar. Në këto kushte komisioni, i paraqet seancës këtë raport pa kandidatë”, - vuri në dukje znj. Bushka.

Në përfundim të seancës, Kryetarja e Kuvendit znj.Nikolla u shpreh se “Bazuar në Raportin e Komisionit të Ligjeve, Raundi i Parë konsiderohet i ezauruar, ftoj Konferencën e Kryetarëve për t’u mbledhur dhe për të caktuar datën e votimit të dytë të zgjedhjes së Presidentit dhe me këtë rast seancën e sotme e deklaroj të mbyllur.”

Seanca i mbylli punimet rreth orës 17:20.



Share