Komisioni i Ligjeve zhvillon mbledhje të posaçme për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në votimin e raundit të parë
- Postuar më, 16/05/2022

Në bazë të vendimit nr.9,
datë 10.05.2022 të Konferencës së Kryetarëve, nën drejtimin e kryetares znj.
Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të
Drejtat e Njeriut u mblodh në një mbledhje të posaçme për shqyrtimin e
kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në votimin e
raundit të parë. Në nisje të mbledhjes znj.Bushka parashtoi procedurën e
ndjekur pas kërkesës së kryetarit të grupit të mazhorancës për mbledhjen e
Konferencës së Kryetarëve, të datës 10.5.2022, ku është paraqitur kërkesa për
nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. “Konferenca
e Kryetarëve në mbështetje të neneve 87 dhe 88 të Kushtetutës, si dhe nenin 109
të Rregullores së Kuvendit, ka rënë dakord që të fillojë procedura parlamentare
për këtë proces, duke u caktuar data e sotme si data për votimin e raundit të
parë””, u shpreh znj.Bushka duke sqaruar se afati për dorëzimin e kandidaturave
ishte data 15 maj 2022 dhe se nuk është depozituar
asnjë kandidaturë. Më tej në cilësinë e relatorit, deputeti z.Eduart Ndreca paraqiti
raportin e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të
Drejtat e Njeriut, i cili do i përcillet për shqyrtim seancës plenare të posaçme,
të thirrur sot (datë 16.5.2022, ora 17:00). Pas diskutimeve, komisioni miratoi
raportin duke ia përcjellë seancës plenare. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë
në votim.